Table of Contents
Ph.D. OLTSEN GRIPSHI
Falënderime
Olta Gripshi
Biblioteka Shtetërore Durrës
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë
“Kam krijuar Batmanin për të projektuar një imazh dhe funksionoi. Për të funksionuar, simboli duhet të jetë më i madh se realiteti. Batman dhe Robin, ndoshta ata duhet të jenë një ekip?! Edhe pse ndonjëherë friksohem se kam krijuar një përbindësh.”,
B. Wayne
HYRJE
Në zhanrin artistik të novelës grafike, ashtu si dhe nëpër filma, piktura apo romane ka shumë gjëra që shpeshherë nuk shikohen ose të paktën nuk i kushtohet shumë vëmendje. Kjo nuk do të thotë se këto gjëra që ne nuk i vërejmë me vëmendje janë shmangur, sepse nuk i shohim (në fakt i shohim shumë mirë): arsyeja është se ne që lexojmë skenarin e një novele grafike jemi përgjithësisht më tepër të interesuar për historinë sesa për mënyrën e krijimit të saj. Në këtë hulumtim shkencor do të përpiqemi në vend që të mësojmë se si t’i shikojmë novelat grafike, për më tepër të kuptojmë se si ato janë realizuar dhe pse janë kaq të ndryshme nga njëra-tjetra. Patjetër që ky hulumtim nuk ndalet vetëm në këtë drejtim sesa kërkon të zbardhë rrugëtimin e historisë së novelës grafike shqiptare nga fillesat, metamorfozën e pësuar gjatë viteve dhe deri duke mbërritur në bashkëkohësinë tonë. Një kërkim shkencor, i cili shkruhet dhe trajton për herë të parë tematikën e novelës grafike në Shqipëri, duke e shtrirë hartën e tij gjurmuese në kohë dhe në shumë drejtime.
Para se të fillojmë rrugëtimin tonë dëfryes mes shumë personazheve, historive, heronjve dhe bëmave të ndryshme të tyre si krijesa të novelave grafike shqiptare, propozojmë një “eksperiment” të vogël: përpiquni të vizatoni një histori të shkurtër novele grafike me një temë të zgjedhur lirshëm nga vetë ju ose nëse nuk keni prirje për të vizatuar mirë, përpiquni ta bëni këtë provë së bashku me një mik tuajin që di të vizatojë mirë. Do të zbuloni se, edhe nëse miku juaj/artisti ishte shumë i mire për të vizatuar historinë që dëshironit, skenat e novelës grafike që vizatuat janë më pak të bukura se ato që keni parë dhe lexuar të botuara nëpër faqet e librave, revistave apo gazetave të specializuara në këtë zhanër artistik.
Të dish dhe të jesh një vizatues i talentuar është padyshim shumë e rëndësishme, por rrethanat kanë dëshmuar se për të realizuar një novelë të mirë grafike nuk është absolutisht e mjaftueshme një gjë e tillë. Shpeshherë në rrugëtimin e novelës grafike shqiptare ka ndodhur që piktorë shumë të mirë nuk kanë arritur të njëjtin nivel edhe në zhanrin artistik të novelës grafike. Por, ka gjithashtu shumë karikaturistë shqiptar që përveç karikaturave të bëra enkas për revistën Hosteni, kanë realizuar shumë bukur me plot imagjinatë novella grafike për revistën Fatosi dhe Yllkat. Thënë këtë, të dish të vizatosh ndihmon sigurisht në konkretizimin e ideve apo të një skenari për ta shndërruar në imazh, por nuk është e mjaftueshme: duhet të dish e të njohësh shumë mirë rregullat se si zhvillohet një novelë grafike, duhet të kesh lexuar shumë prej tyre dhe të kesh kuptuar shumë gjëra se si krijohen ato, pasi ky zhanër artistik është tepër specifik në llojin e tij. Novella grafike apo njohur ndryshe comic është krejt e një natyre tjetër, lehtësisht e dallueshme në krahasim me ilustrimin e librave për fëmijë, pllakatin apo zhanre të tjera.
Në këtë kërkim shkencor do të përpiqem të shtjelloj të gjithë gjurmën zhvillimore të këtij zhanri nga fillesat deri në ditët tona, duke prekur hap pas hapi mënyrën, metodologjinë dhe pikëtakimet e novelës grafike shqiptare të krahasueshme me atë të huaj. Hulumtimi shtrihet në kohë dhe si i atillë është shumë përmasor, duke e ndarë në tre boshte qendrore: pjesa e parë hyrëse, ku shtjellohen çështje të ndryshme të zanafillës së novelës grafike botërore me të gjitha veçoritë e saj, përfshirë këtu shumë autor të huaj që kanë trajtuar Shqipërinë dhe shqiptarët në novelat e tyre grafike, duke evidentuar figurat më të rëndësishme të kombit tonë si: shenjtoren Nënë Tereza nga Marvel, Skënderbeu nga Carroll Mansfielld dhe fenomenin zakonor të kanunit nga Jack Manini dhe Michel Chevereau, pjesa e dytë përqendrohet tërësisht në lindjen dhe zhvillimin e novelës grafike shqiptare gjatë periudhës së Realizmit Socialist në Shqipëri. Periudhë gjatë së cilës themelohen revistat e para pas ’45 si: Hosteni, Fatosi, Pionieri, Yllkat, Ylli dhe Nëntori të cilat vijnë sot si dëshmia më e gjallë e kultivimit të këtij zhanri sa artistik aq dhe mbresëlënës në krijimin e personazheve vizatimor në Shqipëri. Ndërsa pjesa e tretë merr në shqyrtim novelën grafike bashkëkohore shqiptare pas vitit ’90, duke analizuar nëpërmjet saj shumë aspekte fenomeno-antropologjike me rizgjimin e vëmendjes për të pasqyruar legjendat shqiptare. Një vëmendje të veçantë për evidentimin e legjendave shqiptare në novelat grafike pati edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë, e cila në vitin 2014 themeloi konkursin e parë kombëtar të novelës grafike pas ’90.
Një këshillë të fundit para se të nisni leximin tuaj: kushtojini vëmendje novelave grafike që do të gjeni në brendi të këtij kërkimi shkencor, sepse ato nuk janë thjeshtë disa imazhe të bukura për t’u parë e shfletuar nxitimthi në faqen pasardhëse, por brenda tyre do të lexoni dhe “zhyteni” në shumë mikro universe imagjinare të skenaristëve dhe vizatuesve të tyre.
Një studim shkencor, i cili do të jetë një vademecum[la][1] për të gjithë ju. Universe që do të zgjojnë brenda jush botë të reja, të panjohura e të pashkelura më parë, falë takimit dhe njohjes me personazhet më ikonikë vizatimor shqiptar, sepse kjo është fuqia mbresëlënëse e novelës grafike në tërësi dhe në veçanti asaj shqiptare.
1.1. BOTËKUPTIMI I NOVELËS GRAFIKE
1.1.1. Çfarë është një novelë grafike?
Zhanri artistik i novelës grafike është një formë e përzier komunikimi, e cila gërsheton bashkë imazhin dhe tekstin: është në fakt një histori e përbërë nga një grup imazhesh dhe fjalësh brenda së cilave zhvillohet një ngjarje e treguar në skena dhe e shtrirë në seri njëra pas tjetrës. Në gjuhën shqip njihet me emrin novelë grafike, por në të vërtetë është shqipërimi i fjalës angleze comic[en], që për t’u konsideruar e atillë duhet të ketë brenda imazheve balloon[en]-tullumbace që dalin nga goja e personazheve me përmbajtjen e shkruar në rreshta. Pjesë shumë e rëndësishme e formësimit të novelës grafike janë edhe onomatopet.
1.1.2. Karakteristikat e krijimit të novelës grafike
Karakteristika e parë dhe më e rëndësishmja e një krijuesi të novelës grafike është të jetë një vizatues i taletuar dhe plot botë shpirtërore, por që nuk mjaftojë vetëm këto dy veçori, pasi nevojiten edhe aftësi të tjera, të tilla si imagjinata, origjinaliteti dhe humori.
Para se të vizatohet një histori e plotë me shumë skena të ilustruara dhe e shtrirë në seri njëra pas tjetrës, është e nevojshme hartimi i një skenari që përfshin përmbajtjen e secilës skenë të vogël në shumësinë e historisë në tërësi brenda secilës faqe. Skenari duhet të studiohet në atë mënyrë që të japë ritmin dhe dinamikën e duhur në zhvillimin e tregimit nëpërmjet imazheve të ndërthurura me tekstin. Përtej këtyre veçorive e rëndësishme për t’u konsideruar është se ilustrimi që mbyll çdo faqe në të djathtë të librit duhet të përfshij brenda kompozimit më shumë hapësirë, si një element për të treguar një lloj suspense, qetësie apo kalimi të harmonishëm nga njëra faqe tek tjetra. Një mënyrë e tillë kjo, e cila e intrigon më shumë lexuesin, duke e nxitur atë të shfletojë faqen pasardhëse për të zbuluar se çfarë ndodh me personazhet në pjesën tjetër vijuese të tregimit.
Përgjithësisht novelat grafike vizatohen paraprakisht me dorë të lirë, duke përdorur fletë të bardha të lëmuara letre që në përmasa janë pak më të mëdha sesa janë faqet në të cilat ata do të shtypen. Kjo, sepse autorë të ndryshëm luajnë me dinamikën e kompozimeve trepërmasore të personazheve të tyre, ku shpeshherë ata dalin jasht kornizimit të vetë skenës. Vizatimi i skenave me personazhin/personazhet e caktuar gjurmohem me një laps të butë plumbi dhe pas këtij procesi artisti nis t’i/ta përmbyll çdo skenë me teknikën e përzgjedhur, që mund të jetë njëngjyrëshe (μονόχρωμος[grc][2]-monokrom) me përdorimin i një stilolapsi, tonalitetet e vetëm një ngjyre, bojë kine, bojra uji (acquarello[it]) ose çfarë do lloj boje tjetër që pikturohet me përdorimin e penelave.
Në bashkëkohësinë që jetojmë zhvillimi i teknologjisë së përparuar ka ndikuar thellësisht në vizatimin dhe ngjyrosjen e skenareve të novelave grafike. Nëse dikur zakonisht bëheshin vetëm me ngjyrë të zezë, duke i përkitur teknikës së grafikës bardhë e zi; sot artistët arrijnë ta përsosin vizatimin e karaktereve dhe shpërthimin e lëvizjeve të personazheve të tyre nëpërmjet përdorimit të programit photoshop dhe tabletës grafike trupëzuar e lidhur me kompjuterin. Një mënyrë kjo, e cila ka rritur jo vetëm cilësinë e realizimit të novelës grafike në aspektin estetik të të vizatuarit të skenave të larmishme, por ka nxitur së tepërmi edhe imagjinatën krijuese të artistëve, duke përdorur efekte të pafundme në ndarjen mes planeve dhe shtrirjen e perspektivave brenda një kompozimi.
1.2. METODOLOGJIA E KRIJIMIT TË NOVELËS GRAFIKE
1.2.1. Gjuha me të cilën komunikon novella grafike brenda dhe jasht balloon
Çfarë nënkuptojmë kur flasim për “gjuhën” e përdorur në realizimin e novelës grafike? E rëndësishme është të mendojmë se çfarë nënkuptojmë kur flasim për “gjuhën e fjalëve”, d.m.th. gjuhën që përdorim çdo ditë për të folur, për të shkruar dhe për të kuptuar të tjerët kur flasin dhe shkruajnë. Jemi mësuar aq shumë me të folurën dhe aq mirë e praktikojmë atë, saqë as nuk e vërejmë se ndërkohë që flasim po ndjekim rregullat gramatikore – edhe kur nuk e kemi studiuar mirë atë.
Nëse dëgjojmë dikë që thotë “mësuesja qortues nxënësin”, kuptojmë ndoshta se ka apo ka pasur një mosmarrëveshje mes mësueses dhe nxënësit, por nuk dihet se cili nga të dy qorton tjetrin dhe kur ka ndodhur. Për më tepër, ne gjithashtu kuptojmë se personi që na tha këtë fjali nuk flet mirë nga ana gramatikore shqip, sepse kushdo që njeh dhe flet shqip nuk do të shprehej në këtë mënyrë për të treguar këtë ndodhi.
Për të folur mirë dhe rrjedhshëm gjuhën shqip duhet të ndjekim disa rregulla të mirë vendosura gramatikore. Arsyeja e ndjekjes së këtyre rregullave nuk është për t’i bërë mësuesit e gjuhës shqipe të lumtur, por na shërben ne për t’u kuptuar më mirë, më shpejt dhe më lehtë mes nesh. Një gjuhë përbëhet gjithashtu nga një sërë rregullash për të prodhuar dhe vendosur shenja (gërma) që krijojnë fjalë, fjali, fraza me të cilat njeriu mund të kuptohet apo shpreh diçka.
Kur këto shenja janë fjalë dhe kuptohen e lexohen nga të gjithë ne, gjuha është shqip (ose frëngjisht, italisht, anglisht etj.., në raste të tjera). Ndërsa kur këto shenja janë të ndryshme nga fjalët, kemi të bëjmë me gjuhë të tjera (referuar zhanrit artistik dhe jo gjuhës në kuptimin e ngushtë të saj), si ajo e kinemasë, ajo e imazheve, ajo e muzikës ose si ajo që ne na intereson më shumë gjatë këtij kërkimi shkencor, e cila ka të bëjë me gjuhën që flet novela grafike. Shenjat në novelat grafike, ashtu si dhe te filmat vizatimorë kanë figura dhe fjalë të vizatuara, por i vetmi ndryshim midis këtyre dy zhanreve qendron se në filmat vizatimorë ato janë të shprehura me zë dhe në lëvizje.
Ka shumë ndryshime midis gjuhës së fjalëve dhe asaj të novelave grafike. Në fakt, tashmë gjuha e folur dhe e shkruar shqip ka shumë kohë që studiohet, duke u përsosur dhe standardizuar me rregullat e saj.
Megjithatë, përpos studimit të gjuhës shqipe, ajo që duhet të evidentojmë në këtë studim është se nuk ka shumë kohë (për të mos thënë aspak) që studiohet gjuha me të cilën komunikojnë novelat grafike. Një gjuhë, e cila është tepër specifike, qoftë nga mënyra e të shkruarit, vendosja e frazave brenda dhe jasht balloon, ku, sa dhe si, përdorimi i onomatopeve të cilat janë thelbësore në formësimin e rregullave të “gramatikës” së novelave grafike. Ndaj të gjithë ata që realizojnë novella grafike duhet me doemos t’i qendrojnë besnikë kësaj gramatike, gjë, e cila vlen dhe për lexuesin të cilët mësojnë ta kuptojnë këtë gjuhë mbi të gjitha nga përvoja, pra duke lexuar në mënyrë të vazhdueshme novela grafike në shqip, ashtu dhe në gjuhë të tjera.
Megjithatë, diçka është bërë në drjetim të përdorimit të gjuhës së novelës grafike, ndonëse në novelat e para shqiptare të botuara në revistën Fatosi, Yllka, Pionieri etj.., artistët ishin ende larg njohjes me rregullat specifike të saj. Ky studim do të shërbej për këdo si një dorëshkrim i mirë se si të lexoni dhe se si të realizoni një novelë grafike me të gjitha elementët e duhur të saj. Sidoqoftë shumë e rëndësishme dhe në të gjitha rastet, për të realizuar një novelë grafike duhet së pari të jesh një lexues i mirë dhe për të qenë një lexues i mirë duhet të mësosh të përqendrohesh, të shohësh ato gjëra që nuk arrihen të shihen gjithmonë me shikim të parë.
1.2.2. Karikatura
Të flasësh për karikaturën shqiptare është padyshim një sfidë më vete, por le të fillojmë këtë lexim të tyre në shërbim për të njohur dhe kuptuar më mirë novelën grafike satirike-humoristike. Në të vërtetë ekzistojnë dy tipologji novelash grafike: humoristike dhe “serioze”, si kundër dimë gjithashtu se zakonisht stili me të cilin vizatohen novelat grafike humoristike është shumë i ndryshëm nga stili realist fiction[en][3] (fictio[la]) me të cilin vizatohen novelat grafike “serioze”, që i përkasin një grup moshe më për të rritur. P.sh. karakteristika e hundës së vizatuar në personazhet e krijuar nga Zef Bumçi apo Agim Sulaj në revistën Hosteni është krejtësisht e ndryshme dhe e dallushme nga hunda e vizatuar në personazhet e krijuar nga Anastas Kostandini, Naxhi Bakalli, Arben Basha dhe Bujar Zajmi në revistën Fatosi.
Qëllimi i gjuhës së novelës grafike humoristik shqiptare në të vërtetë mbështetet në stilistikën e teknikës së deformimit ose të theksimit të parregullsive fizionomike të personave të ndryshëm, që më pas shndërrohen nga ilustratorët dhe karikaturistët në personazhe qendrore të novelave të tyre grafike. Pra karikatura është deformimi, ekzagjerimi dhe theksimi i tipareve karakteristike tek protretet apo figurës të secilit prej nesh. Të bësh një karikaturë do të thotë të përfaqësosh një figurë (një figurë njerëzore, një kafshë, një send ose një sfond), duke evidentuar gjithmonë e më shumë karakteristikat e saj më të dukshme. Kur bëni një karikaturë të fytyrës së një personi të njohur, ju ekzagjeroni madhësinë e hundës, të gojës, të veshëve, të syve ose në çdo rast të asaj që është më e dukshme në fytyrën, portretin real të atij personi. Në këtë proces gjatë krijimit të një karikature të vetme apo një kompozim figural karikaturash, rol të rëndësishëm ka patur talenti i karikaturistëve shqiptarë të cilët kanë ditur me shumë mjeshtëri, që karikatura/t e vizatuar/a të kenë jo vetëm një ngjashmëri shumë të madhe me personin real, por mbi të gjitha kanë ditur me zgjuarsi ta “mitizojnë” atë nëpërmjet mantelit të ironisë. Qasje kjo, e cila në vitet e para të themelimit të revistës Hosteni bëri që të lindnin personazhe që do të mbeteshin gjatë në kujtesën e përbashkët, falë karikaturave të realizuara nga Zef Bumçi si: Josif Broz Tito botuar në revistën Hosteni të vitit 1952 (fig. 2), “Komedija elektorale e Zogollit”, ku ironizon figurën e mbretit Zog I, botuar në ballinën e revistës Hosteni të vitit 1958 (fig. 3), tregimi “Zenuni” i Kolë Jakovës dhe ilustruar nga Dhimitër Ligori në revistën Ylli të vitit 1962 (fig. 4) apo dhe Nikita Khrushchev (Ники́та Серге́евич Хрущёв[ru]) botuar në revistën Hosteni në vitin 1976 (fig. 5). Megjithatë, zhanri artistik i karikaturës ishte i pari që lulëzoi fill pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, për sa i përket botimit të tyre në revistën e parë dhe të vetme politike, satikrike-humoristike Hosteni.
Artistët shqiptar falë karikaturës gjetën lirinë e tyre për t’u shprehur dhe reaguar kundrejt shumë fenomeneve, dokeve dhe personazheve politik gjatë gjithë kohë shtrirjes së botimit të kësaj reviste. Revista Hosteni ishte ajo që bëri bashkë emrat më të njohur të karikaturës shqiptare ndër vite deri në vitin 1991, ku dhe ishte fatkeqësisht viti i fundit i botimit të saj! Mos vijueshmëria e botimit të revistës Hosteni nuk ishte thjesht dhe vetëm kapitullimi i të parës dhe të vetmes revistë politike, satirike-humoristike në Shqipëri, por mbi të gjitha humbja e lirisë për t’u shprehur, për të qenë përballë sistemit të ri politik të sapo lindur pas ’90, ku vend qendror brenda saj zinte ironia ndaj pushtetit. Karkaturistët më në zë ishin: Zef Bumçi, Dhimitër Ligori, Vasil Lalo, Agim Sulaj, Enriko Veizi, Shtjefën Palushi, Bujar Kapexhiu, Bardhyl Fico, Petrit Konçi, Ilir Pojani e shumë të tjerë të cilët falë artit dhe syrit të tyre të mprehtë themeluan në mënyrë të pashkruar një shkollë të mirëfilltë të karikaturës shqiptare. Karikatura që krijuan një univers të madh karakteresh dhe personazhesh të larmishëm (ndonëse të ndikuara nën hije në mënyrë sporadike nga regjimi komunist i asokohe), ndaj sa herë i shikojmë nga afër ato, aq herë kuptojmë fuqinë e interpretimit të këtyre artistëve të cilët nëpërmjet deformimeve fizionomike, gati “monstruoze” arrijnë të depërtojnë te lexuesi i revistës Hosteni, duke i përfshirë ata në leximin e shumë skenareve që nxisin të qeshurën dhe humorin pikërisht falë karikaturave.
Personazhet humoristike komike zakonisht nuk janë karikatura doemos të njerëzve të njohur: ata janë personazhe nga një botë ku gjithçka paraqitet si karikaturë. Thënë këtë, sepse në karikaturën shqiptare nuk do të gjejmë vetëm ironizimin e figurave të njohura, por edhe shumë personazhe të cilët janë frymëzuar nga e përditshmja dhe profesione të ndryshme. Le të shohim disa karikatura të botuara në ballinat e revistës Hosteni: viti 1969 (fig. 6), ku protagonist është karikatura e një mjeku okulist jo fort të zgjuar, ndërsa pacienti i tij është karikatura e një blerësi hund madh të djallëzuar (por të zgjuar) apo historia “Të fala nga Korabi” e ilustruar nga Zef Bumçi në vitin 1970 (fig. 7), i cili ironizon figurën e vetë Hostenit të vogël në një udhëtim në fshatrat e Dibrës rrëzë Korabit, karikatura e ballinës së vitit 1970 (fig. 8), ku nuk ka një personazh kryesor, pasi të gjithë janë për mbrojtjen e pyjeve, aq sa i kanë prerë të gjitha pemët për t’u ulur sipër trungjeve të tyre, duke bërë mbledhje, ndërkohë që brigadieri më i zgjuari mes tyre ka hipur mbi një nga degët e pemës së mbetur cung duke i thënë: “Shokë: sot do t’ju flas për rëndësinë e mirëmbajtjes së pyjeve” dhe karikatura e Enriko Veizit botuar në vitin 1970 (fig. 9), i cili evidenton dy zyrtar të kooperativës, që nga mungesa e puntorëve papritmas u gjendën me gjindra të tillë në zyrën e tyre, aq sa janë të pashpresë për zgjidhjen e këtij problemi, duke thënë: “– Ku të vete të ankohem me këta tejkalim të fuqisë puntore….disa dhjetra, mijra vetë!” thotë drejtori. Ndërsa brigadieri thotë: “– Gjithçka u përmbys! Nuk respektohet ritmi i planit. Çdo gjë duan ta bëjnë Brenda ditës!”.
Revista Hosteni i dha një hov të madh zhvillimit të karikaturës shqiptare dhe novelës grafike humoristike, sepse ky zhanër artistik u lëvrua nga shumë artistë, aq sa arritën mjeshtërinë në krijimi e personazheve dhe rrëfimeve humoristike nëpërmjet imazhit. Një ndër karikaturat që evidenton brenda një skene fenomenin që “faji është jetim” i përket karikaturistit Esat Musliu e vitit 1970 (fig. 10). Karikatura në të vërtetë shkon përtej gjinisë së vet, për atë çfarë artisti kërkon të përcjell, pasi ajo gërsheton fjalën me imazhin, duke ngjasur me një gjinie tjetër artistike që është novella grafike. Karkatura ndahet në gjashtë skena, ku secila prej tyre emërtohet me përemrat vetor: unë, ti, ai, ne, ju, ata, si për të dëshmuar se faji është gjithmonë i dikujt, por asnjëherë i yni!
Pjesë e karikaturës janë shpeshherë edhe kafshët të cilët përdoren nga karikaturistë të ndryshëm si karikatura të njerëzve. Një lojë ironike që e shohim edhe në karikaturën e karikaturistit Dhimitër Ligori në ballinën e revistës Hosteni të vitit 1969 (fig. 11), ku shohim se tradhtari personifikohet me figurën e gjarpërit të shkelur në kokë nga partizani, i cili njëkohësisht ka vendosur nën kontrollin e tij të plotë ushtarin gjerman, duke e goditur me fundin e pushkës. Në të njejtën skenë shikojmë figurën e një personi të zhveshur lakuriq dhe me bisht, të zhytur me fytyrën në pellgun e ujit, që personifikon ligësinë e tradhtarit. Me të njejtën gjuhë janë edhe dy karikaturat e realizuara nga Zefir pseudonimi i karikaturistit Zef Bumçi në ballinat e revistës Hosteni të vitit 1961 (fig. 12), (fig. 13), në të cilat artisti nëpërmjet ironisë së imazhit shndërron në krijesa antropomorfe ish udhëheqësin komunist të Jugosllavisë Josif Broz Tito, duke e paraqitur atë me trup peshku dhe mbi luspat lexohet lehtësisht simboli i dollarit amerikan, i cili mbanë në dorën e djathtë syrin e tij të majtë. Në këtë karikaturën Tito personifikon sipas kunfigurimit që artisti na shfaq, një krijesë të paqendrueshme midis Rusisë në Lindje dhe Amerikës në Perëndim, si një lugat me syrin e majtë të lidhur fashë që na kujton protretet tipike të hajdutëve piratë. Ndërsa në karikaturën e dytë Bumçi portretizon udhëheqësin famëkeq Adolf Hitler të plakur dhe me gojën të future brenda, duke e shndërruar atë në një kangur australian, me kokoren qesharake me dy pseudo brirë mbi krye dhe simbolin nazist që mbulon të gjithë trupin e kangurit. Një krijesë sa ironike aq dhe e pështirë, nga barku i së cilës del një ushtar mjekërzi romak që mbanë në dorën e tij të djathtë një shpatë xhuxhësh dhe bomba përkrah vetes si simbol i forcës ushtarake, por që në të vërtetë nuk është gjë tjetër sesa imazhi karikaturë i kapitullimit!
Natyrshëm pyesim: pse karikaturat janë qesharake? Sepse ato janë përgjithësisht shëmbëlltyra më e drejtpërdrejt e realitetit të një shoqërie, që në rasti e Shqipërisë padyshim kanë pasqyruar fenomene nga më të larmishmet si: ironizimi me figurat dhe ngjarjet politike, duke filluar nga mbreti Zog I, prishja e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe me Jugosllavinë e si rrjedhojë tallja me figurën e Josip Broz Tito, Hosteni 1963 (fig. 14), më pas afrimi ideologjik me Marksizëm-Leninizëmin dhe ndërprerja diplomatike dypalëshe me Bashkimin Sovjetik, ku karikaturat e portreteve të Vladimir Lenin dhe Joseph Stalin mbushën ballinat dhe brenditë e revistave, librave dhe gazetave të ndryshem (fig. 15). Pasqyrim të veçantë pati edhe prishja e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe me Kinën komuniste të Mao Ce Dun-it në vitin 1968, ku karikaturistët shqiptar përcollën imazhin e diktuar nga regjimi komunist shqiptar i kohës. Përpos figurave politike të Lindjes komuniste simotra, një vend të rëndësishëm në karikaturën shqiptare zuri edhe propaganda kundër Perëndimit imperialist-revizionist, Adolf Hitler-it, Benito Mussolini-t, borgjezisë kapitaliste Amerike dhe Papës së Vatikanit, Hosteni 1974 (fig. 16) apo besimeve fetare në tërësi, sepse për ideologjinë komuniste ato shiheshin si opium për popullin siç shprehet vetë Enver Hoxha në një fjalim të mbajtur kundër fesë me date 17 shkurt të 1967, ku thotë: “Muslimanët as kanë, as mund të kenë, dhe as mund të këndojnë dot ndonjë kuran të vjetër, pse ay është në arabisht. Praktikisht pra ata “rrojnë” me disa bejte të kuranit që i mësojnë përmëndësh, që nuk i kuptojnë dhe i transmetojnë gojarisht”.
Në vijim të propagandës së diktatorit Hoxha, i cili këkonte me çdo kusht të bindëte së pari vetë komunistët e më pas edhe gjerësisht popullin thotë: “Se edhe ortodoksët “s’janë as më të pasur dhe as më të ngritur. Ata kanë vetëm avantazhin që ungjillin e kanë në shqip”. Ndërsa katolikët dhe kleri sidomos, sipas tij “është më i pasur në libra, më i ngritur vetë dhe atje ku mundin ata vazjdojnë të zhvillojnë fenë katolike si filosofi”. Ndërsa me 23 shkurt të vitit 1967 ai ndërmorri një akt juridik në konkretizimin e bindjeve të tij për të prishur kultet fetare, ku falë një urdhërese me shënimin “tepër sekrete” shkruhej: Partia e Punës e Shqipërisë Komiteti Qëndror, Nr. 133 prot. Tepër–sekret, Tiranë, më 27.II.1967; Komiteteve të Partisë së Rretheve, e nënshkruar në fund nga sekrari i parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha[4]. Një urdhëresë, e cila dëshmon qartë se si është udhëhequr nga vetë ai i gjithë sulmi dhe rrënimi i objekteve fetare, besimit e për më tepër kthimin e Shqipërisë së fund viteve ’60-të në shtetin e parë ateist në botë. Propaganda dhe lufta e klasave preku dhe shumë figura të njohura intelektuale shqiptare të cilët ishin pozicionuar kundër regjimit komunist në Shqipëri si Shefqet Verlaci, Abaz Kupi, Mustafa Kruja, Kolë Bib Markaj, Ali Këlcyra, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Pader Anton Harapi, Gjon Markagjoni, Xhafer Deva, Abaz Ermeni dhe Hasan Dosti, Hosteni 1969 (fig. 17).
Në vazhdën e karikaturës propagandistike të diktuar nga regjimi komunist ishin edhe imazhet ku evidentohej puna kooperativiste, heroizmi i punës socialiste, madhështia e “Njeriut të Ri” mbi të gjitha hiperbolizimi i figurës së gruas, ku thuhej: “Gratë janë bërë një forcë e madhe revolucionare e shoqërisë sonë socialiste. Ato marrin pjesë active në jetën politike, shoqërore, ekonomike, kulturale etj. Zgjedhja e sa më shumë grave në organet e pushtetit është një kërkesë e kohës, që buron nga vetë realiteti dhe nga nevoja e përparimit në tërësi të shoqërisë sonë në rrugën e socializmit.”, Hosteni 1970 (fig. 18), gjithashtu pjesë e karikaturës ishin edhe sloganet “Rroftë Partia Popullore e Shqipërisë”, “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!”, Hosteni 1970(fig. 19), “Shqipëri, kala e fortë, si fanar ndriçon në botë!”, Hosteni 1974 (fig. 20), “Republika jonë popullore nuk e ul flamurin e saj as përpara shantazhit e frikës dhe as përpara rublës e dollarit.”, Hosteni 1975 (fig. 21).
Karikaturat na bëjnë të qeshim, sepse i bëjnë gjërat që jemi mësuar t’i shohim të duken ndryshe, duke theksuar mbi të gjitha të metat dhe aspektet e tyre qesharake. Me të njëjtën gjuhë stilizuese vizatohen edhe objektet që gjenden brenda skenave të një novele grafike humoristike. Objekte të cilat paraqiten në formën e një karikature për të dhënë idenë e një bote tërësisht imagjinare, aq të deformuar sikurse vetë personazhet protagonistë të karikaturuar.
Një arsye tjetër që e sjell zhanrin e karikaturës më pranë nesh është se ajo nxjerr në pah disa aspekte, që tërheqin menjëherë vëmendjen tonë kur i shohim ose që na bëjnë më shumë përshtypje. Për këtë arsye, figurat e njohura të shndërruara në karikatura si pjesë e novelës grafike humoristike, ndonëse paraqiten në një mënyrë më pak realiste, megjithatë janë shumë më direkte dhe lehtësisht për t’u njohur sesa kur artistët i vendosin ato si personazhe brenda një novele grafike “serioze”.
Pjesë e rëndësishme për kultivimin e këtij zhanri artistik ishin shfaqja e tyre edhe nëpër traktet[5], që gjatë periudhës komuniste shërbenin për propagandimin dhe rekrutimin ideologjik të masës, duke i shpërndarë ato fsheurazi nga komunistët e rinj. Në këtë kontekst karikatura ishte një mjet i shkëlqyer për përcjelljen e frymës së Marksizëm-Leninizmit tek popullata e paarsimuar. Sipas Ben Andonit: “Kulmin do të arrijë gazeta humoristike “Fshesa”, e cila do ketë shumë fabula dhe do të përdorë shumë histori, kurse grafistët komunistë të Brigadës së VII sulmuese nxorën në tre numra fletushkën “Thumbi”. Karikaturistët e asaj kohe do ishin Polikron Kotini, Misto Mame, Andon Kuqali dhe disa nga këto u shpërndanë në forma volante…”[6].
Në këtë vështrim karikatura pati një ndikim të dukshëm dhe kuptimplotë në fillesat e zhanrit të novelës grafike shqiptare, sepse deri në vitin 1963 zotëroi thuajse tërësisht skenën e stairës dhe ironisë humoristike në revistat e grup moshave të ndryshme gjatë periudhës pas ’45. Padyshim pjesë e këtyre revistave ishin edhe ilustrimet për fëmijë, por në revistën Fatosi të vitit 1963 do të shfaqej novella e parë grafike shqiptare me vizatues Agim Fajën, i cili me gjuhën e tij stilistike revolucionoi ilustrimin e teksteve për fëmijë në Shqipëri (fig. 22).
[1] Vademecum – është një term, që rrejdh nga gjuha latine me tok fjalëshin “vade mecum”, që do të thotë “shkon me mua”, me kuptimin figurativ “të jap një dorë”, për sa i përket një fushe të caktuar hulumtuese. Vademecum është një udhëzues ose një përmbledhje që përmban nocionet më të rëndësishme të një teme përgjithësisht shkencore, artistike apo teknike. Në këtë pikëpamje vademecum është një përmbledhje informacioni në formë kërkimore shkencor në lidhje me një fushë të caktuar apo një teknike artistike të caktuar, duke evidentuar dhe dhënë përgjigje çështjeve më kuptimplota rreth studimit në fjalë.
[2] Termi monokrom rrejdh nga greqishtja e lashte me fjalën μονόχρωμος–monochromes që do të thotë njëngjyrësh.
[3] Fiction – është një term, i cili rrjedh nga gjuha latine me fjalën fictio që do të thotë “trillim”, por sot i përket një fjale në gjuhën angleze që i referohet çdo vepre krijuese, kryesisht çdo vepre narrative, që portretizon njerëz, ngjarje ose vende në mënyra imagjinare që nuk mbështeten domosdoshmërisht në histori ose fakte reale. Në përdorimin e tij më të ngushtë, trillimi përdoret përgjithësisht për tregimet e shkruara në prozë, romanet dhe novelat grafike. Megjithatë, trillimi ka arritur të përfshijë më gjerësisht narrativa imagjinare të shprehura në çdo medium, duke përfshirë jo vetëm shkrimet, por edhe shfaqjet teatrale të drejtpërdrejta, filmat, programet televizive, dramat radiofonike, novelat grafike, lojërat me role dhe videolojërat.
[4] https://shqiptarja.com/lajm/relacioni-i-1967-si-shkaterroi-regjimi-br-200-kisha-e-xhami-monument-kulture
[5] Trakt është një fletushkë e shtypur, e cila ka si përmbajtje një thirrje, një parullë apo një çështje politike të kohës. Një trakt afishohet duke u ngjitur në murë ose shpërndahet nën dorë fshehurazi.
[6] Andoni, B. (2017). Historia e Shqipërisë përmes karikaturës, Botimet Poeteka, Tiranë.
http://gazetashqiptare.al/2017/12/26/foshnje-ne-duart-e-europes-historia-e-shqiperise-permes-karikatures/