Ph.D. OLTSEN GRIPSHI

HISTORIAE NOVELËS GRAFIKE SHQIPTARE

Përfundime

Udhëtimi nëpër shtigjet e novelës grafike shqiptare, personazheve, stereotipeve, propagandës së Realizmit Socialist, historive dhe legjendave ka qenë sa i bukur e mbresëlënës, aq dhe i vështirë në hulumtimin, gjurmimin dhe të shkruarit bashkë të një historie të novelës grafike shqiptare të pashkruar asnjëherë më parë..!

Padyshim ashtu si arti, që ka fuqinë t’i bëj ballë çdo sfide, çdo kohe, çdo sistemi, edhe unë zgjodha të sfidoj veten, duke ndërmarrë një rrugëtim që nuk e dija se ku do të më shpinte. Se çfarë do të zbuloja, cilët personazhe virtual e pse jo edhe real do të takoja gjatë këtij rrugëtimi, ku çdo hap që hidhja ishte i verbër drejt të panjohurës. Cilët do të ishin artistët dhe shkrimtarët që kishin ilustruar e shkruar për fëmijët dhe ndikimi që ata kanë patur falë krijimeve të tyre artistike në formimin e shumë brezave!?

Takimi i parë me novelën grafike shqiptare ishte në bibliotekën e Durrësit, kur mora për herë të parë ndër duar revistën Fatosi, Yllkat, Hosteni, Pionieri etj. Një takim mbresëlënës, që fill nxiti brenda meje një kureshtje të madhe për të zbuluar e njohur më tej, vit pas viti, artistë dhe shkrimtar të cilët kishin botuar në brendësi të këtyre revistave krijimtarinë e tyre. Një hulumtim i shtrirë gjatë në kohë, duke shfletuar çdo numër dhe vit të këtyre revistave, në kërkim për të njohur të panjohur, e cila pasurohej nga një revistë në tjetrën me emra të rinj. Novela grafike, tregime dhe përralla të cilat më kthyen pas në kohë. Në vitet e regjimit komunist dhe mënyrën se si ai regjim kishte depërtuar propagandën e tij ideologjike tek grup-moshat e vogla nëpërmjet zhanrit artistik të novelës grafike. Propagandë, e cila evidentonte dhe hiperbolizonte figurën e partizanit, heroit të punës socialiste dhe imazhin e diktatorit Enver Hoxha.

Periudha e Realizmit Socialist përpos ndikimeve të propagandës së ideologjisë komuniste të kohës, shpërfaqi karakteret dhe stereotipet e para në lëmin e ilustrimit për fëmijë. Agim Faja dhe Safo Marko do të ishin artistët e parë të cilët në vitin 1963 filluan të kultivonin gjininën e novelës grafike në Shqipëri. Dy artistë, krijimtaria e të cilëve mbizotëroi plotësisht vitet ’60-’70 për sa i përket Agim Fajës, ndërsa Safo Marko e vijoj këtë zhanër deri në botim e fundit të revistave Fatosi dhe Yllkat.

Por para mbërritjes tek ushtrimi i mirëfilltë i këtij zhanri artistik, në Shqipëri fill pas Luftës së Dytë Botërore u themelua revista e parë politike, satirike-humoristike Hosteni, e cila mbështeti gjerësisht artin e karikaturës. Një art, i cili vijoj të zhvillohej paralelisht me atë të novelës grafike. Ndër artistët që gërshetoi më së miri këto dy gjini në krijimtarinë e tij artistike ishte Bardhyl Fico, i cili falë novelave të tij pantomimike humoristike ishte një zë i fuqishëm ironik edhe ndaj vetë sistemit politik të kohës.

Vit pas viti u njoha me një mori artistësh të tjerë të cilët kanë lënë gjurmën e tyre të pashlyer në faqet e këtyre revistave të kthyera tashmë në relike të botimeve për fëmijë.

Befasi për mua gjatë këtij kërkimi shkencor ka qenë edhe novela grafike kosovare me artistët dhe shkrimtarët e saj të shkëlqyer, që ndonëse nën represionin e regjimit komunist jugosllav, kishin ditur të qendronin koherent me kohën dhe ushtrimin e kësaj gjinie artistike. Një dëshmi kjo, e cila vinte e gjallë falë novelave të tyre grafike dhe historive të ilustruara me aq vërtetësi.

Novela grafike shqiptare sado e vonë në kohë në krahasim me zhvillimin e këtij zhanri në vendet e tjera, përsëri është shumë e pasur në shumëllojshmërinë e saj. Periudha e Realizmit Socialist përpos ndikimit ideologjik, zhvilloi njëkohësisht edhe tematika të tjera, duke filluar nga legjendat shqiptare, historitë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, antropologjia popullore, tregime dhe përralla.  Ajo çfarë e pasuroi vërtetë këtë studim ishin autorët e rinj, me rikthimin e novelës grafike falë konkursit të përvitshëm të organizuar prej vitit 2014 nga Ministria e Kulturës.  

Ajo çfarë ky kërkim shkencor sjell është gjurmimi, analizimi dhe shkrimi për herë të parë i historisë së novelës grafike shqiptare, nga novela e parë e krijuar nga piktori Agim Faja e deri në ditët tona. Një studim, që do t’i shërbej lexuesit për t’u njohur me kultivimin e këtij zhanër artistik tepër të veçantë për nga teknika e përdorur, gjuha me të cilin ai komunikon dhe ndërthurja që bën mes artit pamor dhe letërsisë, nga artistët shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë. Padyshim qëllimi i tij nuk është vetëm të mbërrij në duart e lexuesit, sesa të shkoi përtej tyre, duke i shëbyer mësimdhënies, si pjesë e historisë së artit shqiptar dhe albanologjisë në nivel kërkimor-universitar, studiuesve të rinj e jo vetëm dhe cilido që adhuron novelën grafike si gjini artistike në veçanti.

Kjo, sepse ky hulumtim vjen si një vademecum, i cili mbart brenda vetes bibliografinë e plotë të të gjithë artistëve dhe shkrimtarëve të cilët me krijimet e tyre formësuan atë, që ky kërkim shkencor mbanë për titull: “Historia e novelës grafike shqiptare”. Një histori, ku gjithkush do të vetë identifikohet me një personazh brenda një tregimi apo përralle. Përpos emrave më të shquar të artit pamor dhe letërsisë për fëmijë, rolin më të rëndësishëm në gjithë formimin e strukturës së këtij studimi, si një “pagodë” shumëplanëshe e kanë luajtur novelat grafike më përfaqësuese shqiptare. Stilet e përdorura dhe mbi të gjitha atë çfarë ato përfaqësojnë për vetëdijen kombëtare. Në edukimin e grup- moshave të vogla nëpërmjet estetikës së imazhit dhe ikonografisë së tyre ndër vite, nga ’45 deri në ditët tona.

SCRIPTA ET PICTA MEA AB OBLIVIONIS INIURIA NOMEN MEUM/EGO ARTIFEX O. GRIPSHI. CREATUM/VINDICABUNT MMXXII/DYRRACHIO ALBANIÆ

Novela grafike shqiptare pas vitit ’90
Literatura