Ph.D. OLTSEN GRIPSHI
NOVELA GRAFIKE SHQIPTARE PAS VITIT ’90
3.1. Novela grafike bashkëkohore shqiptare pas vitit 2014
Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri pas vitit 1990, duke kaluar nga ai i regjimit komunist në atë demokratik bëri, që shumë aspekte të shoqërisë shqiptare të pësonin metamorfozën e tyre, ku një prej tyre ishte edhe fundi i botimeve të revistave kulturore-edukuese për femijë Fatosi, Yllkat, Pionieri, Horizonti dhe ajo politike, satirike-humoristike Hosteni. Viti 1991 ishte ai i fundit për sa i përket botimeve të revistave të cilat kishin formësuar fizionominë kulturore, edukuese dhe argëtuese të shumë brezave ndër vite fill pas Luftës së Dytë Botërore. Padyshim që ndrrimi i sistemeve do të ndikonte drejtpërdrejt në këto ndryshime, sikundër ndodhi edhe në vende të tjera të Evropës Lindore, që kishin patur të njëjtin sistem politik prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një sistem politik i përbashkët, që më pas çoi në nënshkrimin e Traktatit të Varshavës[22] më 14 maj të vitit 1955.
Ajo çfarë vërtetë na interson për të kuptuar është fakti i ndërprejes së botimit të këtyre revistave të cilat ndikuan pashmangshmërisht në krijimtarinë e kultivimit dhe zhvillimit më tutje të gjinisë së novelës grafike shqiptare. Një zhanër i ushtruar gjerësisht mes piktorëve shqiptar, falë kjo edhe revistave të sipërpërmendura të cilat ishin hapësirat e vetme, ku novela grafike zinte një vend të rëndësishëm, gati qendror, por gjithashtu dhe shumë e pëlqyer nga lexuesit e vegjël.
Kohështrirja midis 1992-2014 do të shënonin vitet më të errëta për kultivimin e kësaj gjinie artistike në Shqipëri, e cila gjatë periudhës së Realizmit Socialist njohu një hov të jashtëzakonshëm. Zhvillim ky falë emrave të medhnj jo vetëm në realizimin e novelave grafike dhe ilustrimeve me cilësi të lartë artistike, por gjithashtu edhe në pikturë, duke lënë gjurmën e tyre të pazëvendësueshme në historinë e pikturës shqiptare, ku vlejnë për t’u përmendur Agim Faja, Zef Shoshi, Lambi Blido, Gazmend Leka, Anastas Kostandini, Edi Hila, Artur Muharremi, Lec Shkreli, Naxhi Bakalli, Llazar Taçi, Besim Tula e shumë të tjerë.
Një çekuilibrim që vijon ende sot, pasi nuk ka një lëndë specifike studimi në nivel universitar, ku artistë të ndryshëm të kenë mundësinë për të përvetësuar stilet e zhanrit të novelës grafike! Kjo gjini artistike është ushtruar përgjithësisht në mënyrë autodidakte nga piktorët, por jo se kanë studiuar apo marrë njohuri të mirëfillta për të. Sidoqoftë ilustruesit dhe shkrimtarët shqiptar për fëmijë sado në mënyrë sporadike botua sërish libra me ilustrime gjatë viteve të tranzicionit, por ajo që mungoi thuajse plotësisht ishte zhanri i novelës grafike. Padyshim që krahas ilustratorëve tradicionalë u evidentuan edhe autorë të rinj mbi të gjitha pas edicionit të parë të konkursit kombëtar kushtuar novelës grafike në vitin 2014, duke shpërfaqur personalitetin e tyre krijues falë teknikave të reja në realizimin e novelës grafike shqiptare.
Viti 2014 do të rizgjonte vëmendjen ndaj novelës grafike, falë një konkursi të organizuar nga Ministria e Kulturës, me temë nga “Trashëgimia jomateriale shqiptare” (fig. 83). Një konkurs, i cili evidentoi prurjet e para në këtë shanër artistik, gati të harruar prej vitesh në Shqipëri. Pas edicionit të parë, një vit më vonë në 2015 tema e këtij konkursi ishte “Legjendat shqiptare në novelat grafike”, ku artistë të rinj e jo vetëm dhe këtu vlen të theksohet prania me shumë vlerë e artistit nga Prizreni Ramadan Zaplluzha, me “Nikë Peta” (fig. 84) dhe Vehap Kokalari, me “Dy batot dhe zana e Ilirisë” (fig. 85). Themelimi i këtij konkursi ka sjell ndër vite prurje shumë të veçanta në mënyrën se si artistët e rinj i perceptojnë legjendat shqiptare, duke e dëshmuar këtë me rrëfimin vizual nëpëmjet novelave të tyre grafike.
Përpos konkursit të themeluar nga Ministria e Kulturës kushtuar tërësisht kultivimit të gjinisë së novelës grafike, ka edhe të tjerë të ngjashëm me të në Shqipëri dhe Kosovë. Pas hapjes së tre edicioneve radhazi të novelave grafike nga Ministria e Kulturës, në vitin 2017 një tjetër ekspozitë do të hapet në Qendrën Rinore të Tiranës, nga një grup artistësh të rinj, si një mundësi e re për të ekspozuar krijimtarinë e tyre në këtë zhanër. Ekspozita e qujtur “Strip Art Al: Ekspozita e Novelave Grafike” (fig. 86), zgjeroj fushën e veprimtarisë në këtë gjini artistike, duke paraqitur një frymë të re dhe cilësore në ilustrimin për fëmijë nëpërmjet kësaj teknike. Gjuha stilistike e përdorur nga artistët në konkursin vjetor të Ministrisë së Kulturës, gjithashtu edhe në ekspozitën “Strip Art Al: Ekspozita e Novelave Grafike” është e larmishme, duke përfaqësuar në mënyrë harmonike mes tyre atë të strip art, comic book, manga dhe manhëa në Shqipëri.
Një tjetër hapësirë e përvitshme në mbështetje dhe kultivimin e këtij zhanri është “Fondi i Librit me Ilustrime”, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e themeluar në vitin 2019. Fondi merr një vlerë shumë kuptimplote në funksion të saj, si një mbështetje e jashtëzakonshme për krijuesit e rinj dhe jo vetëm të cilët krijimtarinë e tyre e kanë përqendruar në këtë gjini artistike. Më e rëndësishmja për t’u theksuar është se ky fond nxit evidentimin e letërsinë shqipe, me ilustrues shqiptar, si një përgjigje kundrejt librave me ilustrime të autorëve të huaj të cilët pas ’90 “pushtuan” ndër vite skenën e ilustrimeve për fëmijë në Shqipëri. Autorët e parë fitues të këtij fondi në vitin 2020 ishin Ormira Lulanaj, “Baladë për tim atë e për vete” e shkrimtarit Dritëro Agolli(fig. 87) dhe Artur Dauti, “Letra në ishull” e shkrimtarit Rejvi Dervishi (fig. 88).
Veprat e ekspozuara gjatë të gjitha edicioneve të konkursit të novelave grafike, kanë patur në thelb njohjen e brezave të rinj me këtë fushë të artit, duke shpërfaqur nëpërmjet saj shprehitë e kulturës shqiptare, me jo vetëm ilustrimin e historive të baladave, tregimeve të ndryshme nga letërsia shqipe, por mbi të gjitha ilustrimin e rrëfimeve të shkruara nga ata vetë, duke u kthyer njëherazi skenaristë dhe ilustrues të ideve të tyre. Në këtë këndvështrim artistët e novelës grafike bashkëkohore shqiptare në krahasim me ata të periudhës së Realizmit Socialist janë të lirë për të reflektuar dhe realizuar novela me tematika nga më të larmishmet. Mënyrë kjo, e cila krahas aspektit figurativ për realizimin konkret të imazheve të arritur me stilin e strip art, comic book, manga dhe manhëa, ajo më e rëndësishmja është përmbajtja e tyre, që lëvron një sërë fushash, nga lëmi kulturor deri tek ai fetar dhe politik.
Artistët më përfaqësues të novelës grafike bashkëkohore shqiptare dhe që kanë qenë njëkohësisht pjesëmarrës e fitues të konkursit zyrtar vjetor të Ministrisë së Kulturës e jo vetëm janë: Gerta Oparaku, Florian Bregu, David Kryemadhi, Henri Dimo, Artiol Izri, Oltsen Gripshi, Agron Ujkashi, Brenio Qose, Endri beqo, Borana Dollanga, Kliton Kadiu etj.
Ndërsa në Kosovë zhvillohen një shumëllojshmëri aktivitetesh në këtë drejtim si: Comic Book & Cartoon Fest “Historia e Legjendave Kosovar”, i themeluar në vitin 2003 në Prizren (fig. 89), Festivali Ndërkombëtar i Stripit dhe të Karikaturës “Novelat Grafike Shqiptare”, i themeluar në vitin 2004 po në Prizren (fig. 90), dhe Gran Fest – Kosova Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik i themeluar nga artisti më përfaqësues i novelës grafike bashkëkohore kosovare Gani Jakupi në vitin 2019 në Prishtinë (fig. 91).
Një ndër veprat më të rëndësishme për historinë e kombit shqiptar të ilustruar nga Gani Jakupi është “La dernière image. Une traversée du Kosovo de l’après-guerre”-“ Imazhi e fundit. Një udhëtim nëpër Kosovën e pasluftës”, i botuar në gjuhën frënge në vitin 2012 (fig. 92). Kjo vepër rrëfen përjetimin vetjak të artistit gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës në vitin 1999. Historia që artisti Jakupi evidenton nëpërmjet novelës grafike është kthimi i një refugjati shqiptar fill pas mbarimit të luftës në Kosovë. Personazhi kryesor rrugëton nga skena në skenë, duke dëshmuar për takimin mallëngjyes me prindërit e tij pas një kohe të gjatë ndarjeje mes tyre, si pasojë e luftës dhe dhimbjeve që ajo solli asokohe. Gani Jakupi nëpërmjet kësaj novele grafike përpos përjetimeve të tija vetjake, kërkon të emocionoi dhe risjell në vëmendje kujtesën e atij viti të vështirë për historinë e Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi. Në skenat e kompozuar në mënyrë seriale, artisti ka shmangur me vetëdije pamje të cilat rizgjojnë në kujtesën tonë të përbashkët kufomat, gjakun apo skena rrënqethëse nga masakrat e asaj lufte. Kjo, sepse qëllimi i tij nuk është urrejtja, as tronditja e lexuesit, por reflektimi që do të duhet të kenë brezat e rinj mbi çka ka ndodhur në të shkuarën, për të vlerësuar e çmuar lirinë që gëzojnë sot.
Nxitës i këtij rrëfimi vetjak të artistit u bë marrëdhënia që pati me një fotoreporter argjentinas, i cili mbërriti asokohe bashkë me të fill pas mbarimit të luftës dhe vendosjes së Forcave Paqëruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Rrëfimi vijon me atë çfarë fotoreporteri i kishte kërkuar të bënte në të vërtetë Ganiu.
Një marrëdhënie, ku artisti thekson se ai ishte në kërkim të sensacionit, për të bërë një lajm të bujshëm në mediat ndërkombëtare, me fotografimin e vetë Ganiut pëpara një varreze masive shqiptarësh të Kosovës të vrarë nga ushtria e Slobodan Milošević (Слободан Милошевић[sr]) gjatë luftës[23].
Novela grafike paraqitet e vërtetë në çdo skenë ta saj, pasi shohim që Jakupi e ka ambjentuar të gjithë rrëfimin e tij vizual nga skena e parë në të fundit në qytetin e Prishtinës. Në disa prej skenave njohim lehtësisht sheshin qendror të qytetit me godinën e teatrit kombëtar, ish-Hotel Skënderbeu si e vetmja godinë e stilit neo-barok në Prishtinë, ndërtuar në vitin 1927, nga arkitekti austriak Andrija Kremer dhe diku më tutje shohim lagjen e vjetër apo ato pak shtëpi të mbetura nga çarshia e madhe e Prishtinës. Të gjitha këto elementë nuk janë përfshirë rastësisht në këtë novelë! Kjo, sepse artisti ka evidentuar nëpërmjet tyre jo vetëm elementin ikonik të fizionomisë arkitektonike të Prishtinës, por mbi të gjitha ka vendosur theksin në atë çfarë këto godina përfaqësojnë për identitetin kombëtar shqiptar. Ndërsa në disa skena të tjera ai dëshmon drejpërdrejt dhimbjen dhe dramën njerëzore të shqiptarëve, duke shkëputur çaste dramatike nga britmat e nënave kosovare që qajnë bijtë e tyre e deri në përcjelljen mbi supe të të ndjerit drejt banesës së fundit.
Zgjedhja e mbajtjes njëngjyrëshe nën gamën e tonaliteteve të ngjyrës kafe në okër të të gjithë novelës grafike, na shpien pas në kohë, duke na përcjell ndjesinë e së shkuarës, të vegimeve që formësojnë portretin e gjithanshëm të kujtesës së përbashkët mbi atë çfarë ndodhi gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës në vitin 1999.
“La dernière image. Une traversée du Kosovo de l’après-guerre”, nuk është thjeshtë një vepër artistike e rrëfyer nëpërmjet imazheve. Në të vërtetë ajo është dëshmia e një të vërtete të ndodhur rishtas para njëzet e tre viteve, e gjallë brenda gjithkujt që jeton ende sot me dhimbjen e asaj lufte. Gani Jakupi përpos përmbajtjes në aspektin historik, ai ka arritur të ndërtoj një strukturë të jashtëzakonshme në organizimin e ndarjeve skenike, brenda sëcilave ka vendosur të gjithë personazhet e tij. Çdo skenë vizatohet me saktësi dhe lirshmëri, por pa humbur në asnjë portret karakterin e gjithsecilit, duke i sjell të gjitha figurat më reale dhe më pranë të vërtetës. Padyshim një rol kyç në mirë funksionimin e kompozimit për secilën skenë të novelës luan elementi i perspektivës, që na jep idenë e depërtimit në një hapësirë trepërmasore, e cila herë-herë na shkëput nga realiteti fizik për të na bërë pjesë të imagjinatës së artistit.
Po me kaq vërtetësi na shfaqet edhe novela grafike e Ramadan Zaplluzhës e titulluar “Nikë Peta”, botuar në vitin 2015, pjesë e katalogut të edicionit të dytë të konkursit kombëtar “Legjendat shqiptare në novelat grafike”, organizuar nga Ministria e Kulturës (fig. 93)[24]. Artisti në këtë novelë ka kërkuar të evidentoj ndjenjën e atdhetarizmit nëpërmjet personazhit letrar Nikë Peta të cilin e ka shkëputur nga poema poetike “Kënga e sprasme e Balës” të shkrimtarit arbëresh Gavril Dara i Riu. Figura e Nikë Petës vjen e plotë në luftën e tij kundër pushtuesve osmanë, pasi ashtu si në poemë figura e tij përshkruhet e plotë si personazh, i ngjashëm me Milosaon e Jeronim de Radës. Veçoritë që e karakterizojnë atë janë ndjeshmëria e tij njerëzore, ëndërrimtar për të parë atdheun të çliruar nga osmanët, me prirje për të shkruar poezi, me një talent të spikatur për të kënduar, shtatlartë, i pashëm, një luftëtar gjaknxehtë me aftësi të mëdha për t’i bërë ballë armikut dhe krenar për përkatësinë e tij arbërore.
Në të vërtetë Nikë Peta nuk është personazhi i vetëm që simbolizon ndjenjën e patriotizmit të vetë shkrimtarit, sepse bashkë me të është edhe Pali. Dy personazhe, që për shkrimtarin Dara i Riu nuk ishin gjë tjetër sesa dy heronj të frymëzuar nga folklori shqiptar, duke personifikuar tek ata veçoritë e heronjve romatikë, trima dhe patriotë atdhetarë. Në një nga strofat Nik Peta i drejtohet Darës me vendosmëri dhe plot krenari:
Sa shpalosur në er’ mbi kodrat
Të valoj’ flamur i Arbrit
Gjersa n’vesht e mi të mbrijë
Hingëllima e kuajve t’huaj,
T’i o pris i moçëm luftrash
K’tu t’vendosur do më gjesh.
Në këtë këndvështrim artisti Zaplluzha ka arritur, që të shpreh nëpërmjet imazheve synimet patriotike të shkrimtarit arbëresh, duke na sjell në bashkëkohësinë tonë zërin e kushtrimit për shqiptarët të kësaj poeme poetike. Novela artistike formohet nga 32 skena, e cila rrëfen mjeshtërisht trimërinë e Nikë Petës. Poema u botua për herë të parë në vitin 1906 dhe ambjentohet shumë pas në kohë, duke risjell në vëmendje të kaluarën historike, atë të periudhës heroike të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Gjuha artistike e përdorur për realizimin e kësaj novele grafike është ajo realiste, pa shumë stilizime dhe hiperbolizime, aq sa kalimi nga një skenë në tjetrën shkrihet natyrshëm. Periudha kohore është ajo e Skëndërbeut, gjë të cilën e kuptojmë nga përmbajtja e tekstit, ambjentimin i novelës në kalanë e Krujës dhe rrthinat e saj. Novela mbahet njëngjyrëshe bardhë e zi, ku mbizotëron larmia e kompozimeve dhe dinamika shumëplanëshe e personazheve në luftime mes njëri-tjetrit. Përsosmëria e lojës grafike ka bërë që të gjitha skenat të jenë lehtësisht të lexueshme në aspektin pamor, aq sa dhe teksti është bërë pjesë organike e vetë imazheve. Me shumë interes për t’u analizuar është edhe elementi etnografik, ku artisti Zaplluzha ka përdorur veshjet tipike të Shqipërisë së veriut. Nikë Peta dhe trimat e tij janë të veshur me guna prej postiqe, tirqe, xhamadanë, plisa (qeleshe) dhe opinga.
Portreti i Nikë Petës vizatohet i ashpër, burrëror me mustaqe të gjata dhe mjekër të zezë, me flokë të gjata, hundë të mprehtë, vetulla të trasha dhe syshkruar të mëdhenj, duke krijuar një karakter stereotip të shqiptarit luftëtar dhe sypatrembur.
Ndërsa osmanët protretizohen me çallmën e tyre me gjysmëhënën në kokë, të zinj dhe veshur me brekushe, ku edhe në këtë rast artisti shpërfaq një stereotip për sa i përket përshkrimit ikonik të osmanëve në mënyrën se si janë parë dhe shihen ata në kulturën shqiptare.
Për t’iu larguar disi temave historike dhe legjendave shqiptare, vijmë tek disa artistë të rinj të cilët kanë sjell një frymë të re revolucionare në mënyrën se si kanë realizuar novelat e tyre grafike. – Pavarësisht hendekut të madh kohor shkëputjeje për vazhdimësinë e kultivimit të kësaj gjinie nga artistët shqiptar, siç e kam analizuar në hyrje të këtij kapitulli, përsëri artistë si Florian Bregu, David Kryemadhi, Henri Dimo, Andromeda Dasar, Artiol Izri, Halit Lala, Griselda Kula, Gjergji Zhuka, Gani Sunduri, Enes Alimadhi, Orget Ibrahmi, Mariglen Sinani, Bena Gremi, Sindi Ali, Daniel Gjonpalaj, Edona Shehu, Korab Kraja, Alda Lika, Rei Kërçova etj, kanë arritur të “kapin kohë”, duke krijuar një bërthamë të mirëfilltë artistësh të rinj të cilët krijimtarinë e tyre ia kushtojnë pikërisht novelës grafike.
Temat e trajtuara nga këta artistë janë të larmishme, plot energji dhe origjinalitet, duke shpërfaqur njëkohësisht temperamentin e tyre dhe të shoqërisë shqiptare të kohës tonë. Në novelat grafike të tyre ndjehet liria e interpretimit, e imagjinatës, luajalitetit grafik dhe gjuha universale artistike me të cilën ata i realizojnë, duke përdorur teknika dhe metoda nga më të sofistikuarat falë programeve profesionale kompjuterike.
Henri Dimo është një prej tyre, i cili ka qenë edhe fituesi i çmimit të parë të edicionit të katërt të konkursit kombëtar “Legjendat shqiptare në novelat grafike”, organizuar nga Ministria e Kulturës në vitin 2018, me novelën e tij grafike të titulluar “Rikthimi i Skenderman” (fig. 94)[25]. Vepra e Henri Dimos paraqitet me një gjuhë revolucionare dhe tepër të sofistikuar për sa i përket novelës grafike bashkëkohore shqiptare. Kjo novelë grafike rrëfen një histori të trilluar, e gjitha fryt i imagjinatës së artistit, i cili ka risjell figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti në një parashikim në Krujën e vitit 2049. Ngjarja mbart një surrealizëm konceptual për nga përmbajtja dhe estetika e imazhit. Artisti e zhvesh heroin kombëtar tërësisht nga imazhi i tij mesjetar, duke e rivendosur atë në të tjera kushte, rrethana, kohë dhe në të tjera beteja. Tanimë heroi ynë kombëtare nuk lufton për sprapsjen e pushtuesve osmanë, por kundër një paraziti vdekjeprurës. Skenderman është një bashkë-personazh kryesor në këtë novelë grafike, pasi personazhi tjetër është paraziti Armaggedon. Ai tashmë nuk është vetëm në mbrojtje të qytetërimit arbëror, por të vetë ekzistencës së qenies njerëzore, duke luftuar kundër parazitit më të madh që njerëzimi ka njohur ndonjëherë!
Kruja në sytë e artistit Dimo shihet nën lenten e një qyteti të zymtë, si mbartës i parazitit Armaggedon, i cili ka mbërthyer nën efektin e tij të gjithë Krujën, aq sa ushqehet me jetët e banorëve të këtij qyteti. Kruja është pikëtakimi midis parazitit Armaggedon dhe heroit shpëtimtar të njerëzimit Skenderman. Dyluftimi mes tyre është i përgjakshëm, pasi paraziti i frikshëm konsumon dhe gllabëron pamëshirë gjithçka që i del përpara. Skenderman rikthehet pas pesëqind e tetëdhjetë e një vitesh, por gjërat kanë ndryshuar shumë që nga koha e tij në periudhën mesjetare. Rikthimi i tij është plot energji dhe vetëbesim për ta mposhtur të keqen që paraziti ka shkaktuar në popullatën e Krujës, duke e mundur atë para se të përhapet në të gjithë botën. – Është e mrekullushme të rikthehesh në shtëpi, thotë Skenderman i gatshëm për të luftuar parazitin me shpatën e ngritur lart me dorën e tij të majtë.
Pas mundjes së parazitit nga Skenderman, pasojat që ai la pas ishin dramatike, duke lënë gjurmë të thella në një qytet të rrënuar tërësisht. Pavarësisht të gjitha efekteve shkatërrimtare dhe dëshpërimit që shikohet në sytë e atyre pak banorëve të mbijetuar rrugicave të Neo-Krujës. Paraziti Armaggedon ndikoi tek ata, duke i frymëzuar për një lëvizje të re anti “establishment[en][26]” kundër atyre që i qeverisin e jo vetëm. Banorët e mbijetuar kanë dalur rrugëve të Neo-Krujës për të protestuar ndaj apatisë së klasave të të pasurve, oligarkëve dhe pushtetarëve të cilët nuk bënë asgjë për asgjesimin e parazitit, i cili këcënoi realisht zhdukjen e një qyteti të tërë.
Banorët brohorasin me thirrjet e tyre:
– “Nuk mund të lejojmë klasën politike të kontrollojë jetët tona.”;
– “Këto janë kohë të dëshpëruara. Pasojat e parazitit po i ndjejmë ne, njerëzit e thjeshtë jo të pasurit.”;
– “Duhej dikush nga jashtë që të shpëtonte Krujën.”;
– “Nuk mund të fshihen mbas retorikës politike. Politikanët kanë dështuar.”;
– “Sistemi ka dështuar.”;
– “Skenderman për kryebashkiak.”;
– “Njerëzit janë më të varfër se kurrë. Kemi humbur gjithçka.”;
– “Kjo ishte shenjë nga Zoti që nuk mund të lemë ekzistencën tonë në dorë të një klase aristokratësh të shkëputur nga realiteti.”;
– “Qyteti ëhstë një mbledhje mbeturinash.”;
– “Ka 6 muaj që pasojat e parazitit po ndjehen gjithnjë e më shumë.”;
– “Skenderman faleminderit!;
– “Jemi të gjithë një me Skenderman. I kemi borxh jetët tona”.
Luajaliteti grafik i ndarjes së planeve dhe efektet e programit photoshop kanë bërë që artisti të përcjell më drejtpërdrejt mesazhin dhe emocionet, që dialogët mbartin në vetvete. Artisti në këtë novelë ruan kompozimin horizontal të nën skenave, duke i vendosuar ata mbi një tjetër kompozim të madh skenik, që luan njëherazi edhe rolin e sfondit. Në të gjithë ilustrimin e historisë Dimo ka gërshetuar disa elementë thelbësor për krijimin e imazheve përfundimtare që ne shohim si: ndarja e planeve mes tyre, ku herë me plane fundore të mbajtura grafikisht të sheshta pa dritëhije e vëllime, thjeshtë dhe vetëm si silhouette[fr][27] (silueta) e herë me subjekte të mirë punuar deri në imtësira nga më të larmishmet për vizatimin e portreteve dhe parazitit që ndodhen në planin e parë. Kompozimet figurale shpërthyese me një dinamikë të jashtëzakonshme shprehish lëvizëse dhe plot efekte speciale për krijimin e karaktereve, aq sa të jep përshtypjen e trepërmasores. Përpos këtyre elementeve, për t’u theksuar është edhe ai i perspektivës, i cili është vizatuar në mënyrë të përsosur. Pjesë e së tërës është edhe vendosja e teksteve, që ndjekin harmonishëm çdo kompozim të personazheve me gjithçka i rrethon.
Autori nuk ka bërë dallime vetëm në ndarjen e planeve, por edhe në vizatimin e balloon-ëve, ku teksti herë ndodhet brenda atyre ngjyrë të bardhë formë shpërthimi, që shprehin një ulërimë, zhurmën e të ecurës apo thirrjen e policisë. Herë të bardhë formë vezake si komunikim i drejtpërdrejt i vetë personazhit dhe në pjesën më të madhe ato vizatohen në formë drejtkëndore, si zëri narrativ që tregon një veprim të pa shprehur verbalisht nga vetë personazhet! Sigurisht që në këtë novelë grafike nuk mungojnë edhe onomatopet për të cilat artisti Dimo është treguar shumë i kujdesshëm në mënyrën se si i ka ndërthurur ato me veprimin dhe në harmoni të plotë me imazhit në tërësi.
Të gjitha këto e bëjnë lexuesin të përfshihet plotësisht gjatë leximit të kësaj historie të trilluar nga imagjinata, i cili brenda saj prek aspekte të ndryshme të realitetit bashkëkohës, nga aksioni, propaganda, heroi kombëtar i ri-interpretuar, situata social-kulturore e një qyteti dhe lufta për mbijetesë, që është edhe mesazhi i vërtetë i kësaj novele grafike.
Artistë të tjerë që kanë shënuar një kthesë kuptimpolte në zhvillimin e novelës grafikë bashkëkohore shqiptare si gjini artistike në krijimtarinë e tyre janë edhe piktorët Florian Bregu dhe David Kryemadhi. Të dy pjesëmarrës të përvtishëm në konkursin “Novelat grafike shqiptare”, organizuar nga Ministria e Kulturës, ku në vitin 2021 ishin fitues të çmimit të parë me novelën grafike “Lufta për jetën-Beteja e ashpër”, me skenar të Ilir Topit (fig. 95). Kjo novelë grafike artistike-letrare është pjesë e një serie novelash grafike të cilat kërkojnë të shpërfaqin mënyrën se si brenda trupit tonë zhvillohen në heshtje sëmundje të ndryshme. Ky skenar i trilluar fiction[en][28]frymëzohet në një prej tregimeve fantstiko-shkencor me të njëjtin titull, i shkruar në vitet ’70, nga doktori dhe shkrimtari Flamur Topi. Një tregim i mbështetur në jetën reale të një djaloshi 10-vjeçar me emrin Beni, nga Tirana, i cili nuk kujdesej aq sa duhej për shëndetin e tij[29].
Një skenar, që na bën të reflektojmë për veten dhe shëndetin tonë, pasi e gjithë historia na rrëfen përballjen, dyluftimin midis kryekomandantit Mikrobiosi bashkë me ushtrinë e tij prej dyqind miliardë mikrobesh dhe ushtrisë së leukociteve e bërbërë prej njëzet miliardë ushtarësh, ku të parët përsonifikojnë sulmin ndaj shëndetit të jetës së qenies njerëzore, ndërsa të dytët për mbrojtejen e saj me çdo kusht. Kjo nuk është një luftë e çfarëdoshme, përkundrazi në të diskutohet për jetën e një fëmije, madje të mbarë njerëzimit, të ekzistencës së qenies njerëzore si gjallesë. Një luftë midis të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, dritës dhe errësirës, në të vërtetë një pasqyrë si shëmbëlltyrë e realitetit në të cilin jetojmë.
Lufta shpallet nga kryekomandanti Mikrobiosi, i cili thërret në çadrën e tij të zezë ushtrinë e mikrobeve, duke i shpalosur atyre vendimin që kishte marr, duke i thënë:
– “Komandantë të nderuar dhe ju, o ushtarë trima! Çasti i shumëpritur erdhi. Së shpjeti do të marshojmë në trupin e një fëmije të quajtur Ben. Në trupin e tij ndodhen armiqtë tanë më të mëdhenj: Leukocitet, ose, siç i quajnë ndryshe, rruazat e bardha.”.
Por aty pranë në mesin e ushtarëve të tij ndodhej i zënë rob një ushtar leukocit të cilit iu vërsul gjithë inatosje, duke iu drejtuar:
– “Po ti, pse hesht? Pse buzëqesh me mosbesim e nuk brohoret për fitoren tonë?”.
Me qendrimin e tij sypatrembur, ushtari Leukocit iu përgjigj:
–“Është ende shpejt të gëzoheni!”
– “Po, ju jeni më shumë, ju jeni më të armatosur, por mos harroni: forca e një ushtrie nuk qëndron as në numrin e ushtarëve të saj dhe as tek armët…;
– “Papritur Mikrobiosi ia plasi gazit.”
– “Po ku qënron atëherë?;
– “Në shpirtin e ushtarëve! Ushtarët tanë Leukocitë kanë në zemër dashurinë për jetën e njeriut, për jetën e fëmijëve.”
– “Prandaj janë qindra herë më guximtarë se ju. Prandaj janë gati të japin jetën e tyre për jetën e fëmijëve.”
– “Kurse ju doni vdekjen. Doni vdekjen e fëmijëve…”.
Një përgjigje dhe kryençësi e tillë nuk u tolerua nga kryekomandanti Mikrobiosi, i cili urdhëroi vrasjen e tij me një shigjetë helmuese, që e goditi atë drejtë në zemër! Përpos mesazhit shumë kuptimplotë që kjo novelë grafike përcjell, ajo çfarë vërejmë, ashtu si edhe në novelën grafike “Rikthimi i Skendreman” të artistit Henri Dimo është përmbajtja surreale e historisë së rrëfyer dhe mënyra se si këta artistë i kanë realizuar novelat e tyre grafike. Stilistika e përdorur në krijimin e karaktereve. Në të dyja këto vepra ndjehet gjuha e sofistikuar e teknologjisë së kohës dhe përdorimin me shumë profesionalizëm i programit kompiuterik Adobe Photoshop, për krijimin e efekteve të larmishmë speciale.
Estetika e imazhit është një tjetër aspekt me të cilën artistët Florian Bregu dhe David Kryemadhi luajnë dhe e vendosin veten në një gjendje që lëkundet mes pranimit të iluzionit dhe besimit në këtë të fundit. Tipari i parë ontologjik i pranimit të iluzionit në novelën grafike “Lufta për jetën-Beteja e ashpër”, është shpërfaqa e pranisë së munguar, të një diçkaje që nuk ekzistonte më parë, por të krijuar tërësisht nga imagjinata; një karakteristikë, e cila evidenton imazhet dhe i dallon ato nga njëra-tjetra.
Le të analizojmë se çfarë ndodh në radhë të parë kur përballemi me atë që Sartre e quan imazh fizik, konkret të prekshëm dhe të perceptueshëm realisht nga të gjithë[30]. Por për të depërtuar brenda kësaj qasjeje duhen si fillim disa sqarime për të kuptuar se çfarë nënkupton ai me imazh fizik. Në këtë fushëpamje pashmangshmërisht na nevoitet të mbështetemi në atë që vëren Krieger për sa i përket estetikës së imazhit[31]. Kjo referuar gjithmonë në lidhje me novelën grafike të Kryemadhit dhe Bregut, ku duhet të specifikojmë se në këtë shumësi imazhesh të krijuara nga imagjinata e tyre dhe e skenaristit Topi, mund të dallohen një mori pikëtakimesh frymëzuese të përftuara nga realiteti fizik real si:
– shenjat natyrore, pra ato mimetike që ofron arti pamor dhe në përgjithësi shikimi luan një rol kryesor në aktin e realizimit të imazhit – termi “ikonë” rrjedh nga εἰκόνα[grb]-eikṓn[32], që tregon ngjashmëri dhe bashkë me atë εἴδωλον[grc]-eidolon[33]-“imazh” kanë një rrënjë të përbashkët që rrejdh nga εἶδος[grc]–eidos[34] që do të thotë të shohësh, e dukshme –;
– shenjat arbitrare të cilat kanë të bëjnë me gjuhën verbale të imazhit, që komunikojnë në mënyrë konvencionale dhe janë, siç shkruan de Saussure, një sistem shenjash që shprehin ide dhe mendime[35].
Ndaj kjo novelë grafike nuk është thjeshtë një seri imazhesh, por mbi të gjitha një ndërveprim funksional, që vendos në veprim arsyen e lexusit, për të zhvilluar përmes imazheve të ndërthurura me tekstin interpretimin e tij vetjak. Novela grafike në këtë rast shndërrohet në një mjet jo vetëm edukues, por edhe zhvillimor psikologjik për grup-moshat e vogla, duke iu hapur atyre perspektiva të reja mendimi dhe arsyetimi logjik.
Me një gjuhë realiste vjen novela grafike “Hakmarrja e magjistarit” e artistit Gani Sunduri (fig. 96), pjesë e edicionit të katërt të konkursit “Novelat grafike shqiptare”[36] në vitin 2018, e cila risjell Shqipërinë e shekullit të XVI-të gjatë pushtimit osman. Kjo novelë në krahasimin me ato të artistëve të sipër analizuar është më pranë kulturës popullore, gjë, e cila e bën atë më lehtësisht të kuptueshme.
E gjithë novela mbahet njëngjyrëshe bardhë e zi, me skena shumëplanëshe dhe me një lojë grafike teatrale. Ndarja e skenave është e gërshetuar midis atyre më të mëdha të shtrira horizontalisht dhe atyre të vogla, ku mënyra e kompozimit në vertikal afron shikimin e lexuesit më pranë personazheve. Në të nuk mungon larmia e përshkrimit pamor, ku artisti arrinë të na përfshij me çdo kusht brenda novelës së tij grafike. Kjo falë zgjurarësisë së tij, ku herë na afron shumë pranë portreteve të personazheve, duke depërtuar në psikologjinë e tyre, e herë duke e hapur këndin e shikimit me skena të plota, ku syri i jonë thellohet në horizont siç ndodh tek skena e parë. Ndjeshmëria e artistit Gani Sunduri është aq e madhe sa ai në disa skena të tjera të vogla na bën që syri jonë të përqendrohet tek disa veçanti, duke i dhënë vlerë gjërave të pazakonta, por që në të vërtetë i japin në tërësi novelës grafike një larmi kompozimesh të jashtëzakonshme.
Mbajtja njëngjyrëshe në bardhë e zi të të gjithë novelës ka evidentuar përsosmërisht jo vetëm aftësinë e artistit për ta zgjidhur atë grafikisht, por edhe lojën interpretuese të personazheve, duke shmangur shpërqendrimin e syrit të lexuesit nga gama e ngjyrave dhe për t’u përqendruar tek përmbajtja e dyfishtë imazh-tekst.
Bena Gremi na sjell një version të ri të legjendës së Argjiros me novelën e saj grafike “Princesha Argjiro”, botuar në vitin 2018 në katalogun e konkursit “Legjendat shqiptare në novelat grafike”[37] (fig. 97).
Një novelë e ambjentuar në qytetin e Gjirokastrës, ku në skenën e parë njohim lehtësisht kullën e sahatit që ndodhet sipër në kalanë e qytetit, e cila bëhet imazhi qendror në të cilën artistja ka zhvilluar të gjithë rrëfimin e saj pamor për Argjiron. Kompozimi i përgjithshëm e i novelës është i ndërthurur midis skenave të shtrira horizontalisht në faqen e parë, të mbivendosura në faqen dytë dhe faqa e fundit zhvillohet plotësisht në vertikal, e cila portretizon Argjiron me foshnjën e saj të shtrënguar fort në gji, duke rënë nga muret e larta të kalasë.
Ndonëse artistja ka zgjedhur ta realizojë novelën grafike me ngjyra, gjithësesi ajo e ka mbajtur atë në harmoni të plotë të tonaliteteve prag muzgu. Në brendësi të kësaj novele shohim të gërshetuar me shumë kujdes dhe të lexuara qartë onomatopet, monologët dhe zëri narrativ.
Rikthimi i vëmendjes ndaj novelës grafike në Shqipëri falë edhe konkursit vjetor të Ministrisë së Kulturës, nga ana e artistëve nuk është vazhdimi i traditës së përhapur gjerësisht gjatë periudhës së Realizmit Socialist para viteve ’90. Ky rikthim është krejt i një natyre tjetër sado që kemi të bëjmë me të njëjtin zhanër artistik. Artistët e rinj, por edhe ata të brezit në kapërcyell midis dy sistemeve kanë tashmë tërësisht një tjetër qasje për realizimin e novelave grafike shqiptare, duke shpërfaqur në realizimin e tyre, liri krijuese, ndjeshmëri estetike dhe arritje teknologjike. Elementë këta të cilët kanë formësuar në mënyrë të padiskutueshme atë që unë e konsideroj “embironi” i novelës grafike bashkëkohore shqiptare të krahasueshëm si në aspektin profesional, teknologjik, estetik dhe përmbajtësor me shkollat më të mira të novelës grafike bashkëkohore nëpër botë.
[22] Traktati i Varshavës u mbajt më 14 maj të vitit 1955 në Varshavë të Polonisë. Ky traktat bashkoi bashkë tetë shtete të Evropës qendrore dhe lindore si: Shqipëria, Hungaria, RD e Gjermanisë, Polonia, Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, Rumania dhe Bullgaria të cilët së bashku nënshkruan një pakt, që kishte në thelb fuqizimin e miqësisë, bashkëpunimin, shkëmbimin e ndihmës reciproke, garantimin dhe ruajtjen e paqes mes tyre. Traktati hyri në fuqi më 5 qershor të të njëjtit vit. Shqipëria në krahasim me shtetet e tjera anëtare vendosi që në vitin 1968 të dilte nga ky traktat. Kjo pasi në dhjetor të vitit 1961 Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me BRSS dhe Organet kryesore të traktatit ishin me qendër në Moskë, si Byroja e Këshillit Politik ashtu dhe Kryekomanda e Bashkuar. Bashkimi Sovjetik duke qenë drejtues i Traktatit të Varshavës fuqizoi edhe më tepër kontrollin e saj mbi shtetet e tjera anëtare, duke iu imponuar atyre të shtuquajturin “sovraniteti i kufizuar kombëtar”.[23] Krasniqi, A. (2012). “Imazhi i fundit” i Kosovës ringjallet me stripin e Jakupit, Koha Ditore, rubrika kulturë, Prishtinë, f. 5.
[24] Zaplluzha, R. (2015). Nikë Peta, Novelat Grafike Shqiptare, Edicioni 2, Botim i Ministrisë së Kulturës, Tiranë, f. 112-115.
[25] Dimo, H. (2018). Rikthimi i Skenderman, Novelat Grafike Shqiptare, Edicioni 4, Botim i Ministrisë së Kulturës, Tiranë, f. 74-77.
[26] The Establishment është një term që rrjedh nga gjuha angleze dhe përdoret për të përshkruar një grup ose elitë mbizotëruese, e cila kontrollon një politikën e një shteti. Termi në kuptimin e tij modern u popullarizua nga gazetari britanik Henry Fairlie, i cili në shtator të vitit 1955, në revistën londineze The Spectator përcaktoi rrjetin e njerëzve të shquar dhe të lidhur mirë e të pathyeshëm mes tyre si “Establishment”. Kjo formë organizimi politik-shoqëror përbëhet nga një grup i mbyllur njerëzish të pushtetshëm që zgjedh anëtarët e tij, ose strukturat elitare të ngulitura në institucione qeveritare. Në zhargonin e sociologjisë, kushdo që nuk i përket The Establishment etiketohet si i huaj (në krahasim me një “të brendshëm”). Ideologjitë antiautoritare anti-establishment vënë në dyshim legjitimitetin e institucioneve, madje duke e parë ndikimin e tyre në shoqëri si jodemokratik.
[27] Silhouette-Siluetë është një term, që rrjedh nga gjuha frënge. Termi lindi në Francë, në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII-të, për të treguar një teknikë në realizimin e portretit, duke riprodhuar vetëm konturet e fytyrës, si një hije, e quajtur profil apo silhouette-siluetë. Ky përkufizim i referohet ministrit të financave gjatë mbretërimit të Luigjit XV-të të Francës, Étienne de Silhouette, i cili u bë proverbial për politikën e tij thelbësore administrative të karakterizuar nga maturia ekstreme dhe për shkurtimet e bëra edhe në shpenzimet e mbretit. Ky term u përvetësua tërësisht nga artet pamore, i cili ka të bëjë me krijimin e një imazhi apo një objekti vetëm me linjat e hijes së tij, ku nuk ka as dritëhije e as vëllime. Periudha më e artë për përdorimin e teknikës së siluetës ishte mesi i shekullit të XVIII-të. Artistët vendosnin subjektin e tyre prapa një cope të bardhë, ku hija (silueta) e tij ishte projektuar në murë falë dritës që vinte nga jasht nëpërmjet dritares. Artisti vizatonin konturet e subjektit dhe më pas e mbushinin atë tërësisht me një hije të sheshtë, duke zbatuar kështu teknikën e siluetës.
[28] Fiction-trillim është një term që rrjedh nga gjuha angleze dhe i referohet çdo vepre krijuese, kryesisht atyre narrative, që portretizojnë njerëz, ngjarje ose vende në mënyrë imagjinare të cilat nuk bazohen domosdoshmërisht në histori dhe fakte reale. Trillimi përdoret përgjithësisht për shkrimin e tregimeve në prozë dhe veçanërisht për romanet. Megjithatë, më gjerësisht zhanri artistik i fiction ka arritur të përfshijë narrativa imagjinare të shprehura në çdo medium të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me krijimtarinë letrare, por edhe me krijimin e novelave grafike, shfaqjet teatrale të drejtpërdrejta dhe filmat.
[29] Topi, I. (2021). Beteja e ashpër, Novelat Grafike Shqiptare, Edicioni 6, Botim i Ministrisë së Kulturës, Tiranë, f. 152.
[30] Sartre, J. P. (1948). Immagine e coscienza, Einaudi, Torino, f. 10.
[31] Krieger, M. ( 1991). Ekphrasis. The Illusion of Natural Sign, Baltimore-London, The Johns Hopkins UP, f. 50.
[32] Σἰκόνα-eikṓn-ikonë është një term që i përket greqishtes bizantine, por do të ishte gjuha ruse ajo që do ta përdorte gjerësisht si term me fjalën ικονα[ru]-ikonë, që do të thotë “imazh” apo “i ngjashëm”. Ky term i referohet pikturimit në dru të portreteve të shenjtëve dhe skenave të marra nga Bibla, mbështetur në kontekstin e kulturës së krishterë bizantine dhe sllave.
[33] Σἴδωλον[grc]-eidolon është një term, që rrjedh nga letërsia e lashtë greke, një eidolon I referohet një “imazhi” apo “idhulli”. Ky term është I lidhur ngushtë me imazhin shpirtëror të një shenjti.
[34] Σἶδος[grc]–eidos është teoria e formave ose teoria e ideve, e cila i referohet një koncept ose botëkuptimi filozofik, që i atribuohet Platonit, se bota fizike nuk është aq reale apo e vërtetë sa idetë e përjetshme, absolute, të pandryshueshme. Sipas kësaj teorie, idetë në këtë kuptim, shpesh të shkruara me shkronja të mëdha dhe të përkthyera si “Ide” ose “Forma”, janë esenca jofizike e të gjitha gjërave prej të cilave objektet dhe materia në botën fizike janë thjesht imitime.
[35] De Saussure, F. (1967). Corso di linguistica generale, Laterza Editore, Bari, f. 25.
[36] Sunduri, G. (2018). Hakmarrja e magjistarit, Novelat Grafike Shqiptare, Edicioni 4, Botim i Ministrisë së Kulturës, Tiranë, f. 56-61.
[37] Golemi, B. (2020). Princesha Argjiro, Novelat Grafike Shqiptare, Edicioni 5, Botim i Ministrisë së Kulturës, Tiranë, f. 184-187.