Ph.D. OLTSEN GRIPSHI
Pjesë shumë e rëndësishme e formimit të novelës grafike shqiptare ishin edhe klishet bashkë me stereotipet të cilat pavetëdije të artistëve krijues sollën tek lexuesit e vegjël personazhe të ndryshëm, që lanë gjurmë në kujtesën e shoqërisë shqiptare ndër vite si: Katallani, Sokoli dhe Shqiponja, Pipiruku, Gishto trimi, Toli dhe Coli etj. Përpos indoktrinimit ideologjik komunist, në novelën grafike shqiptare të viteve të Realizmit Socialist, artistët krijuan personazhe të ndryshëm, duke identifikuar nëpërmjet tyre mendësinë e kohës.
Gjinia artistike që ndihmoi së tepërmi dhe që shërbeu si pararojë e novelës grafike shqiptare ishte karikatura. Karikatura është padyshim më e hershme si pjesë e artit pamor në krahasim kohor me novelën grafike, ndaj ka patur një rol të rëndësishëm në konkretizimin dhe përcjelljen e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve kahershëm. Një imazh, i cili ka shoqëruar disa etapa të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, duke filluar me pavarësinë e vendit nga Perandoria Osmane në vitin 1912 dhe konferencat e mbajtura nga fuqitë e mëdha për përcaktimin e kufinjve të shtetit të ri shqiptar, periudhën e monarkisë1928-1939, pushtimin nazifashist me Luftën e Dytë Botërore 1939-1945 dhe periudhën diktatoriale komuniste 1945-1990.
Në këtë fushëpamje klishet dhe stereotipet ishin tipizimi i karakterit të shqiptarit dhe shoqërisë shqiptare, ku theksi vendosej dukshëm gjatë periudhës së Realizmit Socialist në evidentimin e vlerave Marksiste-Leniniste. Disa prej stereotipeve më gjerësisht të trajtuar në novelën grafike shqiptare ishte hiperbolizimi i figurës së partizanit, duke e shfaqur atë si shpëtimtarin e atdheut, figura e spiunit, ai që vëzhgonte, dëgjonte dhe raportonte gjithçka për të mirën e socializmit, figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, ku propaganda e kohës kërkonte që nëpërmjet tij të unifikonte shoqërinë shqiptare, figura e gruas socialiste si e barabartë me atë të burrit dhe pashmangshmërisht figura e diktatorit, i parë si “hyu mes hyjnive”, duke e mbajtur Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugën e drejtë të vlerave Marksiste-Leniniste të bolshevizmit rus.
Stereotipet që kanë shoqëruar Shqipërinë në periudhën fill pas pavarësisë është ajo e të parit me përbuzje dhe moskokëçarje nga Evropa, si një plaçkë pazot nga vendet fqinje, duke e anatemuar, krahasur me kafshë të rëndomta si në rastin e kësaj karikature nga ana e karikaturistit Leonard Raven Hill, ku gjithkush mund të bëjë atë çfarë do me të, aq sa Turqia – i vë në dukje Evropës paaftësinë e saj për ta zotëruar, disiplinuar Shqipërinë dhe këkon që ajo t’i rikthej kamxhikun për ta nënshtruar atë siç kishte bërë për gati pesëqind vite radhazi.
Stereotipet gjatë periudhës së diktaturës nuk ishin vetëm politike, por edhe nga e përditshmja, ku artistët shqiptar mbështeteshin për të krijuar personazhe dhe karakteret e tyre. Ndërsa novela grafike bashkëkohore pas vitit ’90 ishte më e vakët në këtë drejtim, aq sa pas rikthimit për kultivimin e këtij zhanri artistik nga artistët shqiptar pas vitit 2014 stereotipet, apo klishet thuajse u zhdukun fare. Kjo, pasi krijuesit e rinj i dhanë përparësi më shumë krijimit të karaktereve nga imagjinata sesa të frymëzuar nga realiteti i përditshëm. Një qasje e tillë ka pasuruar edhe më tepër novelën grafike shqiptare, duke i dhënë lexuesit personazhe dhe karaktere të rinj, më pranë mendësisë së kohës që jetojmë, më përshtat me gjuhën e teknologjisë së përparuar dhe si rrjedhojë shumë më të arrirë për sa i përket efekteve skenike dhe kompozicionale, duke depërtuar drejtpërdrejt tek lexuesi.