2.2. Zhvillimi i zhanrit artistik të novelës grafike dhe ilustrimit gjatë periudhës së Realizmit Socialist në Shqipëri vitet 1945-1990

Historia e lindjes së zhanrit të novelës grafike në Shqipëri ishte një vijueshmëri e karikaturës, duke kaluar nga karikaturat te traktet e kohës së propagandave “joshëse” të sistemit komunist të porsa themeluar. Traktet e asokohe shfrytëzonin pikërisht artin (sikundër ndodh në të gjitha sistemet totalitare) për të mbërritur te masa, me anë të sëcilave përcillnin edhe mesazhet e tyre propagandistike. Kjo formë e re e të komunikuarit me masën nga ana e komunistëve të rinj arriti të gjejë hapësirë në gazetën humoristike “Fshesa”, në faqet e të cilës u botuan një mori copëzash historie, përralla dhe tregime. Rol të rëndësishëm, gati themelor në suksesin e kësaj gazete luajtën disa prej karikaturistëve të kohës si; Andon Kuqali, Polikron Kotini, Misto Mame, që bashkë me shumë të tjerë përpos krijimit të një shumëllojshmërie karakteresh, personazhesh dhe kompozimeve humoristike nëpërmjet zhanrit të karikaturës, arritën që të nxirrnin përkrah gazëtës Fshesa edhe fletushkën Thumbi, që u botua në tre numra radhazi.   

E veçantë për t’u theksuar është fakti se këto karikaturistë bënin pjesë e Brigadës së VII sulmuese dhe si rrallëherë ishin njëkohësisht pjesë e vetë sistemit komunist të kohës. Roli i tyre ishte vendimtar në krijimin e imazheve propagandistike, sikundër gjithashtu edhe në evidentimin nëpërmjet humorit të të metave të atij sistemi totalitar. Një sistem, që ndikoi drejtpërdrejt në formësimin e një mendësie hermetike, qasjeje shoqërore të ngurtë, gati të frikësuar, aq sa e shndërroi tërësisht temperamentin social-kulturor, duke ndërtuar mbi të një imazh të ri, të “Njeriut të Ri Socialist”, mbështetur në parimet e Marksizëm-Leninizmit bolshevik rus.

Pas gazetës Fshesa dhe fletushkës “jetëshkurtër” të quajtur Thumbi, ajo që do të themelohej fill pas Luftës së Dytë Botërore është revista politike, satiro-humoristike “Hosteni”, botim i bashkimit të gazetarëve të Shqipërisë. Revistë, e cila do të nxiste edhe më tepër zhvillimin e zhanrit të karikaturës, duke afruar rreth saj artistët më të mirë të karikaturës shqiptare nga viti i parë i botimit deri në vitin e fundit të saj në 1991 të cilët ishin; Zef Bumçi, Shtjefën Palushi, Bardhyl Fico, Koço Devole, Enriko Veizi, Ilir Pojani, Dhimitër Ligori, Sabaudin Xhaferri, Bujar Kapexhiu, Medi Belortaja, Agim Sulaj, Arben Meksi, Polikron Kontini, Like Rehova, Petrit Konçi, Vasil Lalo dhe Robert Qafzezi. Kjo revistë ishte dritarja e vetme, ku ironizohej me vetë sistemin komunist në Shqipëri, por pavarësisht kësaj ajo nuk mundi dot të ishte tërësisht e pavarur dhe e zhveshur nga ideologjitë komuniste të kohës. Hosteni sipas qasjes së propagandës komuniste udhëhiqej nga mësimet e partisë, e cila përcillte me besnikëri ideologjitë Marksite-Leniniste, duke bërë që nëpërmjet karikaturës të ironizojë vendet imperialiste-revizioniste, Hosteni 1952 (fig. 49). Kopertinat dhe faqet në brendësi të Hostenit mbusheshin me karikatura që venin në lojë Perëndimin me Amerikën e presidentit John Kennedy, Hosteni 1963 (fig. 50), Vatikanin, ku Papa Pali VI (Paulus VI[la]) ishte kthyer në personazh kryesor të karikaturistëve shqiptar, Hosteni 1969 (fig. 51), dhe ndër vite edhe vetë udhëheqësit komunistë të vendeve të Lindjes, në fillim Jugosllavia me në krye Josip Broz Tito-n (Јосип Броз Тито[sr]), Hosteni 1953 (fig. 52), më pas me udhëheqësin e parë të Bashkimit Sovjetik Vladimir Lenin (Влади́мир Ильи́ч Ле́нин[ru]), me kryetarët e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike Nikita Sergejeviç Hrushçovi (Ники́та Серге́евич Хрущёв[ru]), Hosteni 1952 (fig. 53) dhe Leonid Iljiç Brezhnev (Леони́д Ильи́ч Бре́жнев[ru]), Hosteni  1974 (fig. 54).

Ndër novelat grafike më të bukura me gjuhën e karikaturës, që ka në qendër të saj si personazh kryesor Brezhnevin është ajo e realizuar nga Enriko Veizi, titulluar “Brezhnjevi i siguroi perandorisë ruse drithin…”, Hosteni 1977 (fig. 55). Pjesë e kësaj fushate denigruese dhe tallëse ishte edhe Adolf Hitler, i cili paraqitet i kryqëzuar mbi vetë simbolin e nazizmit që ai udhëhoqi, kryqi i thyer svastika i karikaturistit Sabaudin Xhaferri (Sabka), me titull “Martiri i madh i revanshistëve të Bonit…”, duke ironizuar me fjalët “Në shkollat e Gjermanisë Federale u vendos që në programet mësimore të përfshihet edhe mësimi mbi nazizmin dhe Hitlerin.”, botuar në revistën Hosteni të vitit 1977 (fig. 56). 

Në të njëjtën kohë me Hostenin botoheshin edhe revista të tjera të cilat do të pasuronin jetën kulturore gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri ’45-’90. Ndër revistat më në zë dhe që i dhanë një hov të jashtëzakonshëm gjinisë artistike të novelës grafike ishin Fatosi dhe Yllkat, por krah tyre botohej edhe revista Pionieri. Tre revista të cilat në krahasim me Hostenin, që ishte tërësisht i përqendruar në ironinë politike, satiriko-humoristike, këta tre të fundit i kushtoheshin një lexuesi më të vogël në moshë. Revista Yllkat u drejtohej nxënësve të fillores, me një gjuhë të thjeshtë dhe të lexueshme lehtësisht, revista Fatosi mblidhte rreth vetes një grup-moshë pak më të rritur, me nxënësit e asokohe të sistemit 8-vjeçar, përmbajtja e të cilave ishin tregimet, përrallat dhe poezitë. Ndërsa revista Pionieri ishte disi ndryshe nga Yllkat dhe Fatosi, sepse përmbajtja e saj kishte të bënte me shkencat si matematika, biologjia, fizika etj, por gjithmonë rol të rëndësishëm luante ilustrimi nëpërmjet imazheve të realizuar nga vizatuesit më të mirë të atyre viteve.

Botimi i këtyre revistave ndihmoi në kultivimin e zhanrit artistik të novelës grafike dhe ilustrimit për fëmijë, duke krijuar ndër vite një pasuri të jashtëzakonshme imazhet, karakteresh, personazhesh dhe krijimtarie artistike në këtë fushë. Karikatura ishte e para që u kultivua gjerësisht në Shqipëri fill pas çlirimit, por nuk mbeti pas as ilustrimi për fëmijë dhe në vitin 1966 piktori nga Shijaku, Agimi Faja do të ilustronte për herë të parë në Shqipëri një tekst për fëmijë me zhanrin e novelës grafike. Një tekst i shkruar nga Tasim Gjokutaj me titull “Historia e një bange”, botuar në revistën Fatosi të vitit 1966 (fig. 57).

      Fig. 57

Piktori Agim Faja nëpërmjet kësaj novele grafike ka sjell një frymë të re dhe të pa trajtuar më parë në ilustrimin e tregimeve apo përrallave në revistat dhe librat për fëmijë në Shqipëri. Teksti vizatohet i ndarë në njëmbëdhjetë skena, ku skena e parë përmbanë titullin e tekstit, emrin e shkrimtarit dhe të vetë piktorit. Skenat që vijojnë janë shëmbëlltyrë e përmbajtjes së tekstit, duke e përshkruar atë vizualisht nëpërmjet imazheve. Gjuha e përdorur në vizatimin e skenave është e thjeshtë, figurat vizatohen me një gjuhë stilizuese për t’i përshtatur ato sa më shumë me grup-moshën e luxuesve të vegjël. Ajo që vërehet në këtë novelë grafike është ngjyrosja e sheshtë pa dritëhije dhe pa vëllime, me pak ngjyra të përdorura, ku mbizotërojnë ato parësore e kuqa, e verdha dhe bluja. Elementi grafik në ndarjen e fushave të ngjyrosura realizohet nëpërmjet linjës së zezë, e cila vizaton njëherazi edhe shprehitë e lëvizjeve të personazheve nga skena në skenë.

Ndonëse kemi të bëjmë me një zhanër tërësisht ndryshe nga ai i pikturës mbi kanavacë, përsëri Agim Faja arrinë të ruaj elementin e perspektivës në ndërtimin e planeve brenda kompozimit. Skenat pasojnë nga njëra te tjetra në mënyrë organike, ku herë afrohet subjekti më pranë nesh e herë largohet, duke i parë personazhet nga kënde të ndryshme.  

Në të njëjtin vit, por pak muaj më vonë nga Agim Faja, në revistën Fatosi do të botohej një gazmore e Bekim Harxhit, e cila do të ilustrohej nga piktorja Safo Marko pikërisht me zhanrin e novelës grafike, duke shënuar kësisoj tekstin e dytë në historinë e novelës grafike shqiptare të realizuar me këtë gjuhë të re pamore në Shqipëri, sepse si e atillë ajo kish nisur të përdorej fillimisht në Amerikë, që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e më pas në Evropë. Gazmorja “Çizmja e Verës” (fig. 58) kompozohet nga trembëdhjetë skena dhe ashtu si teksti i Tasim Gjokutës ilustrohet me të njëjtët elementë grafik, me një gjuhë të thjeshtë interpretuese, pa shumë hollësi dhe e ndarë në dy plane thellësi për secilën skenë.

Sigurisht që Agim Faja dhe Safo Marko nuk do të ishin të vetmit në trajtimin e kësaj gjinie artistike, ndonëse të parët që e përdorën këtë gjuhë të re pamore, pasi edhe shumë piktorë të tjerë të talentuar nisën t’i bashkoheshin revistave për fëmijë, duke realizuar një mori novelash grafike shumë të bukura në aspketin estetin dhe në atë të shumëllojshmërisë së imazheve, që buruan nga imagjinata e tyre. Piktorët Agim faja dhe Safo Marko jo vetëm që trajtuan një zhanër të ri artistik për kohën, por ata mbizotëruan plotësisht botimet e revistave Fatosi dhe Yllkat, si në realizimin e kopertinave ashtu dhe në brendësi me novelat e tyre grafike për disa vite radhazi, duke lënë gjurmët e një pasurie të jashtëzakonshme në këtë gjini.

 Fig. 58

Piktorë të tjerë bashkëkohës të tyre ishin Naxhi Bakalli, Dolli Gjinali, Bujar Zajmi, Qamil Prizreni, Enriko Veizi, Bardhyl Fico, Zef Shoshi, Anastas Kostandini, Bujar Luca, Jusuf Shahini, Avenir Sadikaj, Shyqyri Sako, Harilla Dhima, Zamir Mati, Svjetllana Strazemiri, Llazar Taçi, Bujar Kapexhiu e të tjerë, ku emri që spikat më së shumti është ai i Llambi Blidos gjatë viteve ’80.

Novela grafike shqiptare e këtyre viteve do të ndjente së tepërmi ndikimin ideologjik të Realizmit Socialist në Shqipëri, ku përparësi në tekstet për fëmijë do të merrnin figurat e heronjve partizanë të Luftës Nacional Çlirimtare. Ndër novelat grafike më kuptimplota të periudhës së Realizmit Socialist të realizuar në mënyrë seriale dhe botuar në numra të ndryshëm në brendësi të revistës Fatosi ishin: “Ata nuk ishin vetëm” i shkrimtarit Sterjo Spasse (fig. 59), “Petriti i vogël me automatik” i autorit Eqerem Biba (fig. 60), “Fundi i spiunit të Gestapos” i autorit Gëzim Isufi (fig. 61) të botuara në revistën Fatosi gjatë vitit 1977, “Nëntori i një kryeqyteti” i shkrimtarit Ismail Kadare (fig. 62),

 Fig. 59
 Fig. 60
 Fig. 61
 Fig. 62

“Kryengritja fshatare” shkruar nga Skënder Jasa dhe ilustruar nga Naxhi Bakalli (fig. 63), “Pionieri vigjilent” i shkruar nga Suljeman Dibra dhe ilustruar nga Zamir Mati (fig. 64), “Një ngjarje nga lufta” nga Sadik Murraj dhe ilustruar nga Kosta Raka (fig. 65), “Gjithmonë kufitarë” sipas tregimit të shokut Ndreko Rino (fig. 66) të botuara në revistën Fatosi gjatë vitit 1979,

 Fig. 63
 Fig. 64
 Fig. 65
 Fig. 66

“Zgjimi i Nebi Surrelit” i Dhimitër Xhuvanit dhe ilustruar nga Anastas Kostandini (fig. 67), revista Fatosi 1980, “Për fitoren” me tekst te Çezar Ruhit dhe ilustrime të Llazar Taçit (fig. 68), “Në ditën e Konferencës së Pezës” shkruar nga Skënder Jasa dhe ilustruar nga Safo Marko (fig. 69), revista Fatosi 1981, “Kur binin gjethet” ilustruar nga Edi Hila (fig. 70),  revista Fatosi 1982. Të gjitha këto tregime të ilustruara me zhanrin e novelës grafike dëshmojnë se vitet ’70 dhe dy, tre vitet e para të ’80 shënojnë kulminacionin e propagandës komuniste, duke e shtrirë atë edhe në grup-moshat e vogla falë tregimeve të ilustruara.

 Fig. 67
 Fig. 68
 Fig. 69
 Fig. 70