Table of Contents
Ph.D. OLTSEN GRIPSHI
ZANAFILLA E NOVELËS GRAFIKE NË SHQIPËRINË E SHEKULLIT XX
2.1. Karikatura si shëmbëlltyrë e dokeve të Shqipërisë së fillim shekullit të XX
Zhanri artistik i karikaturës është “lajmëtari” i parë i asaj që do të zhvillohej më pas në Shqipëri gjatë shekullit XX, si një zhanër tepër i veçantë me rregulla dhe stilistikë të mirë përcaktuar të cilën e njohim si novela grafike. Karikatura është padyshim më e hershme si pjesë e artit pamor në krahasim kohor me novelën grafike, ndaj ka patur një rol të rëndësishëm në konkretizimin dhe përcjelljen e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve kahershëm. Një imazh, i cili ka shoqëruar disa etapa të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, duke filluar me pavarësinë e vendit nga Perandoria Osmane në vitin 1912 dhe konferencat e mbajtura nga fuqitë e mëdha për përcaktimin e kufinjve të shtetit të ri shqiptar, periudhën e monarkisë1928-1939, pushtimin nazifashist me Luftën e Dytë Botërore 1939-1945 dhe periudhën diktatoriale komuniste 1945-1990. Me shumë vlerë për t’u përmendur ndër karikaturat e para, ku portretizohet jeta e shqiptarëve të dekadave të para midis viteve 1922 – 1926 janë ato të Faik Konicën të botuara në gazetën Dielli, nga Efthim Dodona në Amerikë. Një figurë politike, që nëpërmjet imazhit kërkon të ironizoi vetë politikën, duke portretizuar të tashmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve të asokohe. Për realizimin e këtyre karikaturave Konicës i është dashur mbështetja dhe udhëzimet e një karikaturisti profesionist si Frank Devidson, i cili falë përshkrimit të Konicës arriti të depërtonte thellë në temperamentin shqiptar, duke krijuar karaktere të larmishëm nëpërmjet karikaturës. Por, gjithashtu e rëndësishme është që falë këtyre karikaturave kuptojmë vërtetë se çfarë imazhi kishin krijuar vetë shqiptarët për veten dhe vendin e tyre, fill pas pavarësisë nga Perandoria Osmane? Cilat ishin pritshmëritë dhe synimet e tyre për të mbërritur në aspektin politik-kulturor, nga ku dhe deri ku?
Në këtë fushëpamje karikaturat e Konicës janë fytyra më e vërtetë e të vërtetës, pasi është më aktuale se kurrë edhe sot pas njëgjind vitesh! Por karikaturat e tij nuk ishin të vetmet, sepse Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë objekt edhe i karikaturistëve të huaj të cilët falë kronikave të kohës arritën të ndërtonin fizionominë e kombit tonë nëpërmjet imazheve. Karikatura që shpërfaqnin ironinë politike siç është imazhi i dhurimit të kurorës së Gjergj Kastriotit mbretit të Italisë Viktor Emanuelit të III i Savojës (Vittore Emanuele III di Savoia), me autor Achille Beltrame, botuar në ballinën e revistës La Domenica del Corriere, suplement i ilustruar gazetës Corriere della Sera, nr. 18, viti 1939 (fig. 36) dhe po i njejti subjekt është ilustruar nga një tjetër autor italian Vittorio Pisani në ballinën e revistës La Tribuna Illustrata, nr. 18, viti 1939 (fig. 37).
Karikaturistët e huaj kanë evidentuar disa aspekte të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por ajo që merr më shumë vëmendje është çështja e përcaktimit të kufinjve të shtetit të ri shqiptar pas pavarësisë nga Perandoria Osmane. Shumë autorë të huaj e kanë ilustruar këtë çështje në mënyrat dhe format nga më të ndryshmet, duke na sjell në të tashmen tonë një dëshmi, jo vetëm se si dhe në çfarë ujrash politike lundronin pozicionet e fuqive të mëdha për përcaktimin e kufinjve, sesa qasja se si e shikonin ata Shqipërinë dhe shqiptarët asokohe.
Karikatura kushtuar mbërritjes së princit gjerman Vilhem Vidit, njohur ndryshe formalisht edhe si Madhëria e Tij Princ Vidi, Skëndërbeu II i Shqipërisë (Wilhelm Friedrich Heinrich Princ zu Wied) në portin e Durrësit është një dëshmi e gjallë e asaj çfarë ndodhi me ardhjen e një princi të huaj në fornin shqiptar dhe se si e shihte politikisht përballjen me këtë të vërtetë Esad Pasha, i cili kishte “ëndërruar” gjithmonë për të qenë në krye të shtetit të ri shqiptar. Imazhi shfaq karakterin tipik të një grupi shqiptarësh që ishin ende nostalogjik ndaj frymës së administratës osmane në vend, duke u paraqitur të ashpër, kundërshtues dhe mospranues ndaj ardhjes se Pric Wied-it në Shqipëri të cilët karikaturisti i ka vendosuar ata në përballje me një tjetër grup të njohur si “kryengritësit muhamedanë” (fig. 38). Karikaturë kjo e frymëzuar nga trazirat që nisën në pranverën e viti 1914, duke u përshkallëzuar gjatë verës e deri në fund kur dhe Pric Wied-i u largua përfundimisht nga Shqipëria.
Karikatura është konceptuar shumë kuptimplote, sepse në qendër të saj qendron një fuçi, e cila simbolizon Shqipërinë, duke e nënkuptuar atë si një “fuçinë e barutit”. Një vend ende i nderë për atë që përfaqësonte, për besueshmërinë dhe integritetin e tij territorial, për seriozitetin e vendimit për të sjell në krye të fronit shqiptar një princ të huaj, ku mos pëlqimi ndaj këtij vendimi shprehet në aspektin ikonik nëpërmjet një grupi personash të revoltuar të cilët mbajnë në duar pankarta me shënime si: “Nieder mit Wilhelm[de]” – Poshtë Vilhelmi, për më tepër që ky flamur valëvitet nën simbolin e gjysmë hënës me yllin e Davidit, “Hoch fürs v. Albanien[de]” – Brohoritje për Shqipërinë, një pankartë, që qendron nën simbolin e kapelës bektashiane, pas saj shikohet lehtësisht të valëvitet flamuri turk me gjysmë hënën. Në qendër të protestuesve shohim të vizatuar një burrë me veshje tipike xhonturke (Jön Türkler[tr] lëvisja e borgjezisë së re turke), duke u evidentuar edhe falë kapelës që mbanë mbi kokë, ku në dorën e majtë të tij mbanë lart pankartën me shkrimin “Hoch Essad![de]” – Lart Esadi. Përkrah tij me një portret tipik oriental, spikat çallma me gjysmë hënën në qendër dhe pankarta që ai mbanë në dorën e tij të djathtë, ku shkruhet qartë “Es lebe König Essad![de]” – Rroftë Mbreti Esad. Një tjetër pankartë përsërit thirrjen “Nider mit Essad[de]” bashkë me një tjetër flamur me gjsmë hënën dhe yllin e Davidit valëviten në anën e majtë të fuçisë.
Në këmbë jasht saj qendrojnë dy roje me uniformë të cilët shikojnë të habitur, gati stoik ndaj asaj çfarë po ndodh! Në pjesën e sipërme të karikaturës shkruhet “Die reinen toren von Durazzo” – Portat e pastra të Durrësit.
Kjo karikaturë nuk është thjeshtë e atillë, sepse falë saj na vjen një dëshmi e qartë se si shiheshin shqiptarët asokohe dhe mbi të gjitha qendrimi i Shqipërisë e marrë “peng” nga Esad Pasha në kapërcyell midis të shkuarës në Lindje nën sundimin osman dhe të tashmes, e cila do të duhet të shohë drejt së ardhmes me Perëndimin.
Shqipërinë e kësaj periudhe e gjejmë të portretizuar edhe në karikatura të tjera, ku herë shfaqet si një figurën antropomorfe (kafshe) e herë nën pektun e një fëmije të porsalindur në krahët e Evropës, ku konti Leopold Berchthold ia dorëzon Italisë, botuar në revistën satirike austriake Winer Caricaturen, nr. 5, 1 shkurt 1914 në Vjenë (fig. 39). Një tjetër karikaturë, që përshkruan vizualisht Shqipërinë në prag të pavarësisë dhe Luftës së Parë Ballkanike të viti 1912 e gjejmë të botuar në Gazetën Drita të vitit 1906, nr. 72, f. 1. Një Shqipëri të shndërruar në mënyrë simbolike në një luan të egërsuar, ku shkruhet, i cili ndodhet në qendër të kompozimit, duke shqyer zinxhirin e islamit që e lidhte me të shkuarën nën pushtimin e Perandorisë Osmane (njeriu me fes të zi, që qendron përballë luanit, mbi barkun e të cilit shkruhet “Hajduti”) dhe atë të ortodoksisë që e lidhte me Greqinë (njeriu me kapele me xhufkë, duke vrapuar pabesisht tinëz nga pas luanit me sytë e zgurdulluar, mbi kokën e të cilit shkruhet “Greku”). Ndërsa fill pas personit qesharak sa hundëmadh aq dhe barkmadh, që përsonifikon rëndomtë një turk, në sfond dinakërisht i fshehur pas pemës ndodhet një serb (šajkača[sr]) i frikësuar dhe mbi të në degën e pemës qendron i mbledhur kruspull në heshtje një mi i madh i zi, që simbolizon një malazez, duke u përgatitur për t’i bërë pritë luanit (fig. 40).
Kjo periudhë kohore paraqitet në një tjetër imazh satirik, që ka të bëjë me përpjekjet e Perandorisë Austro-Hungareze për të krijuar një shtet të pavarur shqiptar të qëndrueshëm, si kundërpeshë ndaj një Serbie në rritje të shpejtë. Përpjekje të cilat arritën të njohin Shqipërinë si shtet të pavaruar nga Perandoria Osmane në Konferencën e Londrës në korrik të vitit 1913. Ndonëse me kjo konferencë la jasht kufinjve administrativ shumë territore të banuara etnikisht nga shqiptarët si: Kosova iu dha Serbisë dhe Çamëria apo Epiri i Jugut iu dha Greqisë. Fuqitë e Antantës favorizuan Greqinë dhe aleatin e tyre të ardhshëm Serbinë dhe u dhanë këtyre vendeve zona të rëndësishme të banuara nga shqiptarët, duke minuar kështu qëndrueshmërinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e saj të brishtë. Për realizimin e këtij plani konkret ishte planifikuar gjithashtu ndërtimi i një hekurudhe Danub-Adriatik, nga e cila përfitonte Serbia për një dalje në detin Adriatik, duke kaluar përmes Shqipërisë. Për sa i përket territoreve të mbetura brenda shtetit të ri të sapo formuar, ata ranë dakord që në krye si monark të Shqipërisë të emëronin princin gjerman Wilhelm von Wied. Për t’u theksuar është fakti historik i dokumentuar që Esad Pasha në krye të një delegacioni shkoi në Neuwied për t’i ofruar atij kurorën shqiptare dhe ai e pranoi, por pa e ditur se çfarë situatash politike-shoqërore e priste realisht në Shqipëri.
Karikatura paraqet një imazh antropomorf brenda së cilës janë kafshët ata që simbolizojnë me ironi shtetet e sipërpërmendura. Karikatura është botuar më 29 nëntor të vitit 1912 në The Minneapolis Journal, me titullin “The bone of contention”-“Mollë sherri” (fig. 41), sepse në të shikohet qartësisht pozicionimi i Austrisë për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë nga shpërbërja, që shprehet – “I told you not to touch that!”-“Të thashë të mos e prekësh atë!”, i Serbisë në qendër nën ikonografinë e qenushit të vogël plot ngazëllim, ku ajo që lexojmë brenda balloon-it të tij është “Well, what cha goin’ to do about it?”-“Epo, çfarë do të bëni për këtë?”, duke mbajtur të kafshuar ndër dhëmbë një kockë me mbishkrimin “Durazzo Adriatic Port”-“Durrësi Porti i Adriatikut”. Në të vërtetë porti i Durrësit ka qenë një synim i kahershëm i Serbisë për ta zotëruar, si të vetmen mundësi për të patur dalje në detë. Ndërsa pas Serbisë ndodhet një tjetër qen shumë më i madh në përmasa, në gushën e të cilit shkruhet Rusia, me një qendrim stoik-mbikëqyrës.
Simbolika e Shqipërisë ndahet në dy hapësira brenda tërësisë së kompozimit. Në pjesën e poshtme përdhe autori ka vizatuar një tas me mbeturina kockash, ku shkruhet “Albanian territory”-“Terriotor shqiptar”, nga ku qeni serb ka tërhequr kockën që mbanë ndër dhëmbë. Një simbolikë sa ironike, aq edhe fyese ndaj sjelljes së pabesë të Serbisë, me idenë që mori atë që kishte “ëndërruar” gjithmonë falë mbështetjes Ruse të cilën e ka parë atë si dorën e saj në Ballkan.
Simbolika tjetër që personifikon Shqipërinë në këtë karikaturë është gjeli, i cili qendron duke kënduar me thirrjen “Independence”-“Pavarësinë”, mbirrethimin e drunjtë. Rrethimi si simbolike e shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe ftimin e pavarësisë nga ky pushtimi shekullor.
Shumë interesant është edhe përzgjedhja e racave të qenve që autori ka marrë si referim për të simbolizuar shtetet përkatëse. Austria shfaqet nëpërmjet racës Bulldog, në fytyrën e të cilit vërehet një mimikë kërcënuese dhe gati për t’u hedhur në veprim. Serbia paraqitet nën lëkurën e racës Jack Russell, që për nga natyra është një qen me shtat të vogël, me sjellje sulmuese dhe luajak në varësi të situatave në të cilat gjendet. Rusia është e përfaqësuar nga qeni i racës Alabai. Një qen shtat lartë i tipit molosoid me origjinë nga periudha sovjetike, karakteristikë e tij është ruajtja dhe tradicionalisht mbrojtës i bagëtive.
“A broken lullaby” është një tjetër imazh i botuar më 23 korrik të viti 1913 (fig. 42), që vjen si një dëshmi e historisë së pavarësisë dhe fatit të territoreve të lëna jasht kufinjve administrativ të shtetit të sapoformuar të ri Shqiptar nga Konferenca e Londrës. Një imazh brenda së cilit shohim të vizatuar një grua të veshur me stola[la][14]në qendër të kompozimit përsëgjati, që përsonifikon Evropën, duke mbajtur në krahët e saj një fëmijë të vogël mashkull, të veshur me kostum popullor shqiptar, që përsonifikon Shqipërinë.
Për t’u nënvizuar në këtë simbolik është fakti si asnjëherë më parë ikonografia e një kombi të personifikohet me figurën e një mashkulli. Kjo, pasi përvoja pamore e të ilustruarit të një kombi në aspektin simbolik-ikonik është identifikuar gjithmonë me figurën femërore, për nga bukuria, ajo që lind jetë dhe që përbashkon të gjithë rreth vetes pa dalim me dhembshurinë e një nëne. Por, jo vetëm, sepse nëse hedhim vështrimin pas në kohë edhe hyjnitë që mbronin qytetet ishin femra. Përfaqësimi i qytetit në Bibël ishte gjithashtu nga një grua, duke zgjeruar njëherazi “metaforën e mirëqenies familjare” apo të nocionit “nënë-komb”. Figura femërore personifikon gjithashtu lirinë dhe Republikën.
Marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë filluan të funksionojnë në nivel shtetëror pasi ajo u shpall e pavarur dhe përpjekjet e para diplomatike të qeverisë së parë ishin kërkesat për njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Në dhjetor 1912, një delegacion i Shqipërisë dorëzoi një memorandum në Konferencën e Londrës të vitit 1913, duke këmbëngulur në të drejtat etnike të shqiptarëve dhe kërkoi një njohje ndërkombëtare të Shqipërisë së pavarur të përbërë nga Kosova, Maqedonia Perëndimore, duke përfshirë Shkupin dhe Manastirin dhe të gjithë territorin e Epirit deri në Artë.
Pjesë e rrëfimit të kësaj përiudhe historike për kombin shqiptar në aspektin pamor është edhe karikatura me titullin “Çporruni prej meje egërsira gjakpirëse!!”, e botuar në shkurt të vitit 1913 (fig. 43).
Një karikaturë, e cila Shqipërinë e personifikon nëpërmjet figurës së një femre të re, shtatëlartë, me një qendrim stoik që shikon drejt në qendër të kompozimit, veshur me kostum tradicional popullor shqiptar, ku në dorën e saj të majtë mbanë shpatën dhe në dorën e djathtë mbanë pstoletën. Një skenë e ndarë në mënyrë sa simetrike brenda hapësirës kompozicionale, aq dhe teatrale tragji-komike për nga përmbajtja, sepse në të shohim Shqipërinë, duke u mbrojtur nga vendet fqinje. Në të djathtën e saj qendron i ulur kruspull Mali i Zi, me synimin për të aneksuar tinës Shkodrën, që autori e ka paraqitur atë nën simbolikën e majmunit. Në të majtë sulet Greqia si leopard i tërbuar që sulmon Janinën. Ndërsa nëpër këmbët e Shqipërisë gjarpëron Serbia nën simbolikën e gjarpërit.
Ndër qytetet që kanë patur vëmendjen më të madhe gjatë kësaj periudhe nga artistët e kohës ka qenë Durrësi, gjë të cilën e shohim edhe në karikaturën e botuar në revistën satirike britanike Punch, or the London Charivari, më 20 nëntor të vitit 1912 (fig. 44).
Në këtë karikaturë shohim të kompozuar dy figura buzë bregut të detit të Durrësit, ku njëri përfaqëson Shqipërinë, duke e personifikuar atë me një burrë të moshuar me çallmë në kokë, i ulur mbi një sop dhe me duart e mbështetura mbi bastunin e tij. Ndërsa tjetri përfaqëson Serbinë, gjithashtu edhe ai një burrë i moshuar me një kapelë të bardhë me një pupël sipër, i cili qendron kruspull duke u dridhur me këmbët e futura në ujin e ftohtë.
Përpos dy personazheve të portretizuar të cilët kanë qendrime të kundërta për sa i përket faktit se kush e “zotëron Durrësin”, pas krahëve të serbit përmbi shkëmb qendron kokëlartë një shqiponjë dykrerëshe.
Karikatura shfaqet me një titull të përzier mes dy gjuhëve, asaj angleze dhe asaj italiane: “Servia at the seaside[en]: scene-Durazzo-super-Mare, Albania[it]”- “Serbia në breg të detit: skena-Durrësi-super-Detë, Shqipëri”. Interesant është edhe dialogu me s tyre, i cili gjendet i shkruar poshtë karikaturës:
Oldest: – “Making a long stay here, sir?”– “Duke bërë një qëndrim të gjatë këtu, zotëri?”.
Servia: – “Oh, it depends” (sotto roce[it]) “Are you much troubled with two-eaded eagles in there parts?”– “Oh, varet” (nën shkëmbinj) “A je humë ishqetësuar me shqiponjat dykrenore atje”.
Po në të njejtën revistë satirike britanike Punch është botuar, më 25 shkurt të vitit 1914 një tjetër karikaturë e artistit Leonard Raven Hill e titulluar “The Throne Perilous”-“Froni i rrezikshëm”, që ka në qendër të saj uljen në fronin e mbretërisë shqiptare të Princ Wilhelm von Wied-it (fig. 45). Në imazh paraqiten tre figura të rëndësishme që lanë gjurmë në historinë gjeopolitike të Evopës së fillim shekullit të XX, por edhe për shtetin e ri shqiptar, pasi autori në këtë karikaturë ka portretizuar në qendër të saj Perandorin e Austro-Hungarisë Franz Joseph Karl I, në të majtën e tij qendron mbreti i Italisë Vittorio Emanuele III di Savoia dhe përballë tyre Princi gjerman Wilhelm von Wied. E gjithë skena është sa komike aq dhe tragjike për fronin mbretëror shqiptar. Një fron në dy anët e të cilit qendrojnë Austria dhe Italia, ku në pjesën e sipërme të mbështetëses shkruhet Albania, duke e ftuar princin e ri gjerman me një nënqeshje tallëse që të ulet në një fron, ku ulësja është e mbuluar plot gjemba të mprehtë.
Befas ngazëllimi i Princ Wied-it që mbanë shtrënguar nën sjetullën e djathtë një jastëk, ku shkruhet guarantee[fr]-garanci prej 4, 000, 000 sterlinash anglezesbehet, gati në mimikën e portretit të tij lexohet qartë frika, me sytë e zgurdulluar. Një tjetër element, i cili e bënë qeshark figurën e pricit gjerman është mënyra se si ai është veshur. Në pjesën e poshtme mbanë të veshur fustanellën dhe opingat shqiptare, ndërsa në pjesën e sipërme identifikohet lehtësisht veshja tipike ushtarake e familjes mbretërore gjermane. Përpos garancisë, në këmbët e tij shohim një çantë karakteristike të kohës, mbi të cilën shkruhen emrat e kryeqyteteve që kanë mbështetur ardhjen e tij në Shqipëri si: Londra, Parisi, Viena, Roma dhe Berlini.
Në të vërtetë kjo karikaturë politiko-humoristike evidenton udhëkryqin në të cilën ndodhej pavarësia e Shqipërisë asokohe, ku secili nga vendet e fuqishme si: Austria, Italia, Gjermani dhe fqinjët e saj kërkonin me çdo kushta ta zotëronin! Poshtë titullit kryesor lëxohet “Austria and Italy (to the new Ruler of Albania), “Be seated, Sir.”-“Austria dhe Italia (për Sundimtarin e ri të Shqipërisë), “Ulu, zotëri.”. Ajo që ka më së shumti protagonizëm në këtë karikaturë nuk është princi gjerman, sesa përshkrimi pamor i vetë fronit shqiptar, ndaj të cilit ishin të gjithë të vetëdijshëm se çfarë i priste, sa i vështirë dhe e ashpër do të ishte kundërshtia e shqiptarëve kundrejt një udhëheqësi të huaj, pasi një lëvizje të tillë e shihnin si një “ripushtim” dhe humbje të sovranitetit të shtetit të porsaformuar shqiptar. Kurora është një tjetër e veçantë që bie në sy, si pjesë e kompozimit në tërësi, ndonëse e lënë qellimisht në hije pa marrë shumë vëmendje, mënyra se si autori e ka vizatuar atë në aspektin formal, ngjason me kurorën austirake dhe atë italiane, por jo me atë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut që përbashkon në një entitet të vetëm popullin shqiptar.
Padyshim në vazhdën e morisë së karikaturave për Shqipërinë do të gjejmë edhe nga ato të cilat e përshkruajnë atë me përçmim, duke e përfaqësuar me simbolikën e figurës së gomarit siç e shohim në karikaturën me titull “The Circus of Europe”-“Cirku i Evropës”, poshtë së cilës shkruhet “Turkey (to Europa, ring-mistress). “Infirm of purpose! Give me back the whip.”-“Turqia (në Evropë, zonja e ringut). “E pafuqishme për qëllimin! Ma kthe kamxhikun.”, botuar në revistën satirike britanike Punch, or the London Charivari, më 3 qershor të vitit 1914 (fig. 46).
E gjithë skena vendoset brenda një sheshi cirku, ku zonja e veshur me të zezë që godet pamëshirë me kamxhik gomarin-Shqipërinë personifikon Evropën, e cila realisht nuk e ka dashur asnjëherë mëvetësinë Shqipërinë, si një komb me gjuhën, kulturën, historinë dhe etnografinë e saj. Përballë publikut në djathtë të karikaturës, me supet e ngritura dhe duart lart qendron i habitur një hokatar, një palaço cirku, i cili mbanë mbi kokë kapelën tipike të xhonturqëve dhe mbi rrobën e veshur është qendisur gjysmëhëna me yllin pesëcepësh të flamurit turk që përfaqëson Turqinë.
Stereotipi që ka shoqëruar Shqipërinë në këtë periudhë kohore historike është ajo e të parit me përbuzje dhe moskokëçarje nga Evropa, si një plaçkë pazot nga vendet fqinje, duke e anatemuar, krahasur me kafshë të rëndomta si në rastin e kësaj karikature nga ana e karikaturistit Leonard Raven Hill, ku gjithkush mund të bëjë atë çfarë do me të, aq sa Turqia – i vë në dukje Evropës paaftësinë e saj për ta zotëruar, disiplinuar Shqipërinë dhe këkon që ajo t’i rikthej kamxhikun për ta nënshtruar atë siç kishte bërë për gati pesëqind vite radhazi.
Në kontrast me imazhin e mësipërm kemi një tjetër karikaturë të botuar në revistën satirike azerbajxhanase Molla Nasreddin në vitin 1911 (fig. 47), që ka si protagoniste Shqipërinë. Një karikaturë siç shkruhet në të “Albania, caricatured as the large & fearless warrior, is surrounded by Greeks, Ottomans & Serbs.”-“Shqipëria, e karikaturuar si luftëtari i madh dhe i patrembur, është i rrethuar nga grekë, osmanë dhe serbë.”[15], e personifikon Shqipërinë nëpërmjet figurës së një burri të moshuar, veshur me tirqe, me brez leshi të lidhur poshtë belit në kërdhokëll, brenda së cilës mbanë tre thika. Në pjesën e sipërme mbanë të veshur një xhamadan të kuq prej shajaku dhe në kokë një çallmë tipike orientale turke.
Në të kundërt nga karikatura e L. R. Hill, këtu Shqipëria paraqitet madhështore në krahasim me figurat e tjera që e rrethojnë nën këmbë, stoike, me temperament burrëror, e fuqishme dhe me një kamxhik në dorën e djathtë të saj, ku shprehet “I can smash all these tiny people to pieces with one kick but I am worried that it will scare away my neighbors.”-“Unë mund t’i copëtoj të gjithë këta njerëz të vegjël me një goditje, por jam i shqetësuar se kjo do të trembë fqinjët e mi.”.
Personazhet që janë më shtatvogla, duke brohoritur me shpata nëpër duar dhe që kërkojnë t’i vendosin nënkëmbëz për ta ndalur Shqipërinë të eci përpara personifikojnë Turqinë, Greqinë dhe Serbinë.
Artisti anglez L. R. Hill ka realizuar disa karikatura për situatën gjeopolitike të Shqipërisë së porsa formuar si shtet i pavarur. “At Durazzo-super-mare”-“Në Durrës-super-detë” është një karikaturë e botuar në të njejtën revistë satirike, ku janë botuar edhe karikaturat e tjera të analizuara më sipër, Punch, or the London Charivari, më 22 korrik të vitit 1914 (fig. 48). Imazhi përshkruan mbërritjen e Princ Wied-it në Durrës dhe se si u tall ai nga Evropa që ishte vetë mbështetësja e uljes së tij në fronin e Shqipërisë. Karikatura ambjentohet buzëdetit të Durrësit, ku brenda hapësirës kompozicionale vizatohen dy personazhe: në të majtë të kompozimit ndodhet Princ Ëied-i, i dobësuar, ku shihet qartë zhgënjimii në mimikën e fytyrës dhe sytë e zgurdulluar nga frika e braktisjes së Evopës, i zhveshur fillikat me vetëm të brendshmet, i cili qendron brenda në ujë, i kruspull e me krahët e kryqëzuar në vetvete, duke u dridhur nga të ftohtit. Ndërsa në anën e djathtë të kompozimit pas shpinës së tij qendron e ulur mbi shkallëzat e një karroce druri duarkryq, në gjumë të thellë Evropa. Një kontinent, që personifikohet me figurën e një gruaje në moshë, të pafuqishme dhe tërësisht indiferente ndaj asaj që kishte dhe po ndodhte ndërkohë me Shqipërinë, por edhe me princin fatzi gjerman të cilin e braktisi brigjeve të Adriatikut në Durrës.
Skena e kësaj karikature është shumë interesante qoftë nga kompozimi, por edhe nga përmbajtja. Në rastin konkret Shqipëria identifikohet vetëm me emrin e qytetit të Durrësit, ndërsa karakteri i shqiptarëve, të vrullshëm, gjaknxehtë dhe kaotik në temperamentin e tyre simbolizohet nëpërmjet dallgës së madhe, ku shkruhet “Albanian”-“Shqiptarët”, që po përpinë princin e gjorë, i cili të vetmen gjë që nuk e humbi asnjëherë gjatë qendrimit në Durrës ishte kapelja e tij ushtarake që mbanë mbi kokë!
Në pjesën e poshtme të dallgës përballë këmbëve të Evropës lexojmë “Troubles[fr]”-“Çrregullime” dhe poshtë titullit të karikaturës shkruhet “I don’t feel at all comfortable here. Isn’t it about time you took me out of this?”-“Nuk ndihem aspak rehat këtu. A nuk është koha të më nxirrni nga kjo?, referuar kjo gjendjes psikologjike dhe shpirtërore të Princ Wied-i, i cili përjetoi një zhgënjim të madh për t’u ulur në fronin mbretëror të shqiptarëve. Po në të njejtin rrjeshtë shkuhet edhe “Europa (sleepily). “Mpraps[sq].”-“Evropa (e përgjumur). “Më zmbraps”. Kjo tregon të vërtetën e të vërtetës së pa shkruar, por të dëshmuar falë këtyre karikaturave satirike se si shihej dhe me sa seriozitet ishte konsideruar pavarësia e Shqipërisë dhe prosperiteti i popullit shqiptar nga Evropa.
Të gjitha këto karikatura të realizuara me mjeshtëri nga autorë të ndryshëm me teknikën e grafikës artistike me bojë kine dhe botuar në revistat më të njohura në Itali, Angli, Gjermani, Azerbajxhan etj, na ndihmojnë sot për të njohur më mirë dhe për të qenë më pranë të vërtetës së historisë së kombit tonë para, gjatë dhe pas pavarësisë nga Perandoria Osmane. Këto karikatura reflektojnë telashet e shqiptarëve, duke krijuar stereotipe në qasje ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në kulturën ballkanike dhe atë evropiane.
Traktati i Londrës i majit të vitit 1913, bëri që Fuqitë e Mëdha të Evropës të njihnin pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, e cila e kishte pushtuar atë që në vitin 1478. Princi William von Wied u zgjodh për t’u bërë sovran i Shqipërisë së sapo pavaruar, duke krijuar Principatën e Shqipërisë në shkurt të vitit 1914. Ky vendim i Fuqive të Mëdha shkaktoi kaos politik dhe shumë pakënaqësi në Shqipëri. Ulja në fronin të Wied-it si Mbret të Shqipërisë, përçau popullin shqiptar, duke e ndarë atë në vija fetare dhe fisnore mes tyre. Myslimanët kërkuan një princ mysliman nga Turqia, si një mënyrë për të rivendosur pozitën e privilegjuar që kishin gëzuar më parë. Ndërsa të tjerët mbështesnin Esat Pashën, gjendur në këto rrethana Princ Wied-i u largua nga Shqipëria në shtator të vitit 1914, vetëm gjashtë muaj pas mbërritjes së tij në portin e Durrësit.
[14] Stola ishte një veshje tipike romake për gra, që kishte të bënte me një mantel të gjerë prej leshi të gjatë deri te këmbët, kun ë pjesën e belit shtrëngohej me një rrip cingulum[la]. Kjo veshje pati përdorim të gjerë në epokën e vonë republikane, e cila përdorej nga gratë romake si fustan për të dale dhe shpeshherë i shoqëruar me një mantel të madh palla[la],që mbulonte shpatullat dhe kokën.
[15] Molla Nasreddin, (2011), ribotim, Christoph Keller Editions, New York, f 41